NUK VENDOSET AS REND E SIGURI ME STANDARDE TË DYFISHTA

Nëse shteti do të investonte më shumë në ndërgjegjësimin e qytetarëve për respektimin e rregullave dhe sinjalistikës rrugore, efektet do të ishin më të qëndrueshme dhe më të drejta për të gjithë. Vendosja e sistemit “Safe City” vetëm në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë ngre një shqetësim serioz: pse siguria dhe zbatimi i ligjit po trajtohen në mënyrë të pabarabartë? Kushtetuta është e qartë, sovraniteti dhe ligji vlejnë në tërë territorin e shtetit, pa përjashtime dhe pa zona të privilegjuara. Nuk mund të pranohet që qytetarët e disa qyteteve të kenë mbrojtje më të madhe të jetës dhe sigurisë sesa qytetarët e pjesëve të tjera të vendit. Siguria nuk është privilegj urban, por e drejtë universale.

Shkruan: Muharem Xhezairi

Preambula e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk është një udhëzues fleksibël për raste të zgjedhura është ligji themelor që kërkon zbatim uniform. Neni 9 është i qartë:

“Qytetarët e Republikës së Maqedonisë janë të barabartë në liritë dhe të drejtat… Qytetarët janë të barabartë para Kushtetutës dhe ligjeve.”

Praktika e vendosjes së sistemit “Safe City” vetëm në pjesë të caktuara të vendit paraqet një zbraztirë mes parimit dhe zbatimit. Që nga faza provuese, kamerat u aktivizuan në Shkup dhe janë montuar gjithashtu në Tetovë dhe Kumanovë, me plan për të përfshirë edhe korridoret ndërkombëtare dhe zgjerim të mëtejshëm. Kjo nuk është arritje teknologjike por një ndarje reale në mënyrën se si qeveria e ndan mbrojtjen e sigurisë dhe zbatimin e ligjit midis qytetarëve.

Edhe Neni 2 i Kushtetutës përcakton se sovraniteti ushtrohet në tërë territorin e Republikës dhe nuk lejon “ishuj” të legjitimitetit ligjor:

“Sovraniteti i Republikës së Maqedonisë së Veriut buron nga qytetarët dhe u përket qytetarëve. Sovraniteti ushtrohet në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe është i pandashëm, i patjetërsueshëm dhe i pakalueshëm.”

Kur një instrument që dokumenton shkelje dhe lëshon gjoba, funksionon vetëm në kryeqytet dhe dy qytete tjera, pyetja që lind është: përse ky diferencim? A është kjo çështje burimesh, prioritetesh apo një qasje selektive që prodhon pabarazi reale në mbrojtjen e jetës, sigurisë dhe dinjitetit qytetar?

Ka përpjekje për ta justifikuar këtë qasje me argumentin se askush nuk mund të jetë kundër sigurisë së qytetarëve dhe jetëve të njerëzve. Por ky argument bëhet problematik kur siguria nuk shpërndahet në mënyrë të barabartë. Qytetarët e Shkupit, Tetovës dhe Kumanovës nuk duhet të trajtohen si më të “privilegjuar” sesa qytetarët e qyteteve dhe komunave të tjera. Siguria publike nuk është privilegj urban, por e drejtë universale qytetare.

Nëse zbatimi i teknologjive të sigurisë nis me përjashtime territoriale, atëherë diskursi publik duhet ta trajtojë këtë si çështje llogaridhënieje institucionale, jo si propagandë sigurie. Ligji duhet të jetë i njëjtë për të gjithë, ndërsa politika ka detyrimin jo vetëm ta zbatojë, por edhe të ndërtojë shoqërinë përmes edukimit, jo vetëm përmes ndëshkimit.

Së këndejmi, një shtet modern nuk matet me numrin e kamerave, por me nivelin e kulturës qytetare që ka ndërtuar. Pa komponentin edukativ, çdo sistem monitorimi mbetet kryesisht mekanizëm ndëshkimi dhe prodhon më shumë pakënaqësi sesa kulturë përgjegjësie. Prandaj, siguria në komunikacion nuk ndërtohet vetëm me kamera dhe gjoba, por para së gjithash me edukim dhe barazi në zbatim.

Jam i bindur se teknologjia duhet të jetë mjet mbështetës, jo zëvendësim i edukimit. Pa komponentin edukativ, çdo sistem mbetet kryesisht ndëshkues dhe prodhon më shumë pakënaqësi sesa kulturë përgjegjësie. Prandaj, Ligji duhet të zbatohet njësoj për të gjithë, ndërsa politika ka obligimin ta respektojë këtë parim themelor dhe të ndërtojë siguri përmes barazisë, edukimit dhe përgjegjësisë publike.

*Autori është anëtar i Kryesisë Qendrore të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI)