Një 25-vjeçar lëndohet rëndë, dy automjete digjen plotësisht, MPB jep detaje për aksidentin tmerrues në autostradën Shkup-Kumanovë
Ministria e Punëve të Brendshme ka dhënë detaje rreth aksidentit të rëndë të ndodhur mbrëmë vonë, ku u përplasën një makinë dhe një kamion. Ngjarja ka ndodhur në hyrje të Shkupit, në segmentin pranë Hipodromit.
”Më datë 10.02.2026, në ora 23:00, në SPB Shkup është raportuar se në autostradën Shkup-Kumanovë, përpara kyçjes për rrugën qarkore të qytetit të Shkupit, ka ndodhur një aksident komunikacioni midis një automjeti pasagjerësh ‘BMW’ me targa të Shkupit, i drejtuar nga A.V. (25) nga fshati Bujkoc i Shkupit, dhe një automjeti transportues ‘Mercedes’ me gjysmërimorkio me targa të Negotinës, i drejtuar nga L.D. (56) nga fshati Brest i Shtipit. Si pasojë e përplasjes, të dyja automjetet janë përfshirë nga flakët dhe janë djegur plotësisht.
Sipas njoftimit të MPB-së, drejtuesi i makinës “BMW” ka pësuar lëndime të rënda trupore, të cilat janë konstatuar në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” në Shkup.
Në vendngjarje ka kryer inspektimin ekipi i SPB Shkup për të zbardhur shkaqet e aksidentit.