Ndotje alarmante e burimit Shumë, ndalohet përdorimi i ujit në Strugë





Uji me ngjyrë kafe të errët që prej pasdites së djeshme po rrjedh nga çezmat e struganëve. Problemi që kanë nisur te burimi Shum, prej nga furnizohet ujësjellësi i qytetit, ka detyruar autoritetet të ndalojnë përdorimin e tij. Parametrat e matjes kanë dalë rreth tridhjetë herë mbi normat e lejuara. Nga Qendra e Shëndetit Publik theksojnë se uji nuk mund të përdorët as për pije, as për gatim e as për higjienë personale. Nga Ndërmarrja e Ujësjellësit dhe Kanalizimeve Strugë për momentin nuk japin shpjegime për shkaqet e turbullimit.

“Shkova vetë në vendngjarje, bëra monitorim dhe konstatuam se uji në burimin Shum është si baltë. Edhe nga matjet në objekte, shtëpi, shkolla, turbullira është e lartë. Situata është serioze sepse komuna për një kohë të gjatë do të mbetet pa ujë. Struganëve u uroj të kenë xhep të thellë për të blerë ujë edhe për larje, ose liqeni është aty, do të mbushim ujë nga liqeni, do ta ngrohim dhe kështu do të ruhet higjiena personale”, deklaroi Lidija Simonoska – Qendra e Shëndetit Publik.