Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor (ISHSSH) tashmë po vepron në përputhje me vërejtjet e konstatuara dhe rekomandimet e dhëna në raportin për auditimin e pasqyrave financiare dhe auditimin e pajtueshmërisë për vitin 2024 të Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, të përgatitur nga Enti Shtetëror i Revizionit, theksojnë nga Ministria e Shëndetësisë.
“Sa i përket vërejtjeve që lidhen me inspektimet, të cilat janë të natyrës teknike, janë dhënë udhëzime për të gjitha njësitë rajonale që këto vërejtje të korrigjohen në të ardhmen. Në lidhje me vërejtjet që kanë të bëjnë me sektorin e burimeve njerëzore, është në vijim procesi i kompletimit të dokumentacionit”, thuhet në komunikatë.
Në fushën e administrimit materialo-kontabël, vërejtjet janë të natyrës administrativo-teknike dhe, duke pasur parasysh se nga data 01.01.2025 Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor është organ në përbërje të Ministrisë së Shëndetësisë, tashmë janë ndërmarrë masa për eliminimin e vërejtjeve administrative të konstatuara.
“Sa i përket procedurës për importin e lodrave për fëmijë, produkteve kozmetike dhe artikujve për përdorim të përgjithshëm, si dhe vërejtjes lidhur me certifikatat e sigurisë që dorëzohen gjatë importit, tashmë kanë nisur bisedimet fillestare me palët përkatëse për të gjetur një zgjidhje të përbashkët dhe të pranueshme me qëllim tejkalimin e këtij problemi”, theksohet në kumtesë.