Ministri Vengu: NATO njeh Korridorin 8 si korridor sigurie, Shqipëria në zemër të planeve strategjike
Korridori 8, me pikënisje në kompleksin detar Durrës–Porto Romano dhe dalje në Detin e Zi, u njoh zyrtarisht këtë të enjte si korridor sigurie për mbrojtjen kolektive nga NATO.
Vendimi u mor në takimin e kësaj të enjteje në Bruksel të ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, ku i pranishëm ishte edhe ministri shqiptar i Mbrojtjes, Pirro Vengu.
Në një videomesazh të shpërndarë nga kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale, Vengu shprehet se kjo është një arritje konkrete që e vendos Shqipërinë në zemër të infrastrukturës strategjike të Aleancës dhe forcon ndjeshëm sigurinë rajonale.
“Pas një pune disa vjeçare të disiplinuar, të qartë, të qëndrueshme, sot në Bruksel në ministerialin e ministrave të Mbrojtjes, Korridori 8, me pikënisje në kompleksin portual Durrës Porto-Romano, dhe me dalje në Detin e zi, u përfshi zyrtarisht në planet dhe në infrastrukturën kritike ushtarake të aleancës. Kjo është një arritje konkrete që e pozicionon Shqipërinë në zemrën e të gjitha planeve rajonale dhe në zemrën e të gjitha infrastrukturave ku aleanca do të përqendrohet në vitet në vijim.”, shprehet Vengu.
Mes të tjerash, Vengu shprehet se ky takim në Bruksel, shërbeu si një mundësi për të diskutuar për të ardhmen e operacioneve ku vendi ynë merr pjesë, rritjen e kapaciteteve por edhe për mundësitë që krijohen për Kosovën.
“Nga ana tjetër, ministeriali ishte një mundësi për të diskutuar me të gjithë aleatët për të ardhmen e operacioneve ku Shqipëria bën pjesë, veçanërisht operacioni i KFOR-it në Kosovë. Po vlerësohet rritja e kapaciteteve. Shqipëria do rrisë kapacitetet e saj dhe përfshirjen e saj në këtë mision, përfshirë dhe për herë të parë me forcën e saj ajrore. Ndërkohë që në partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe me komandën Amerikane në Europë, po bëhen të gjitha rivlerësimet e nevojshme për të ardhmen e këtij misioni, çka përbën edhe një okazion shumë të mirë për qeverinë e re të sapozgjedhur të Kosovës, që të rrisë bashkëpunimin cilësor, gjithnjë e më të ngushtë me aleancën.”, tha Vengu.
Pika e tretë e bisedimeve sipas tij, kishte të bënte me mënyrën se si të gjitha vendet aleate jo vetëm po rrisin investimet në mbrojtje, por po ristrukturojnë mënyrën se si industria ushtarake fillon dhe të gjenerojë dhe më shumë kapacitete.
“Shqipëria e ka nisur me vendosmëri këtë rrugë dhe çdo ditë po krijojmë kapacitete të reja përsa i përket industrisë tonë me disa kontrata të lidhura dhe disa kontrata në negocim e sipër. Të gjithë këto elementë u mirëpritën nga mbarë aleatët.”, shtoi ai.
Ministri i Mbrojtjes shtoi se vendi ynë dhe Turqia kanë nisur përgatitjet për mbajtjen e Samitit të NATO-s, në Tiranë në vitin 2027.