Ministri Filkov ashpër ndaj zëvendëskryeministrit Bekim Salit: Provimi i jurisprudencës mbetet në maqedonisht

Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, ka reaguar publikisht ndaj deklaratave të zëvendëskryeministrit Bekim Sali lidhur me mundësinë e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke theksuar se interpretimet politike të Kushtetutës dhe ligjeve kanë përfunduar me largimin e LSDM–BDI nga pushteti.

Filkov deklaroi se kjo Qeveri nuk do të vazhdojë praktikën e relativizimit juridik, kaosit institucional dhe zbatimit selektiv të ligjeve, por është e përkushtuar për vendosjen e rregullave të qarta, sigurisë juridike dhe respektimit të plotë të rendit kushtetues.

Sipas tij, Kushtetuta nuk guxon të jetë objekt interpretimesh të lira apo të përditshme politike, por duhet të lexohet në mënyrë të plotë, sistematike dhe konsekuente, pa nxjerrje selektive të dispozitave nga konteksti për qëllime afatshkurtra politike.

Ministri theksoi se shteti nuk funksionon mbi bazën e vlerësimeve personale apo ndjesive politike, por mbi Kushtetutë dhe ligje. Në sistemin juridik, siç u shpreh ai, nuk ekziston kategoria “ka apo s’ka vullnet”, por vetëm norma kushtetuese, zgjidhje ligjore dhe procedura institucionale.

Filkov bëri të ditur se Ministria e Drejtësisë e ka shqyrtuar peticionin e studentëve për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke analizuar të gjitha dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore. Ai sqaroi se, ndonëse Ligji për përdorimin e gjuhëve lejon përdorimin e shqipes si gjuhë zyrtare në procedurat para institucioneve, ai nuk mund të zbatohet i shkëputur nga ligjet sistemore që rregullojnë funksionimin e gjyqësorit.

Provimi i jurisprudencës, sipas ministrit, është kusht kyç për hyrje në gjyqësor, prokurori, avokati, noteriat dhe përmbarim, ndërsa të gjitha këto ligje parashohin shprehimisht njohjen aktive të gjuhës maqedonase. Dhënia e provimit në gjuhën maqedonase shërben pikërisht për verifikimin e kësaj përgatitjeje gjuhësore dhe profesionale, pasi procedurat, vendimet dhe aktet zyrtare në sistemin e drejtësisë zhvillohen kryesisht në maqedonisht dhe me alfabet cirilik.

Filkov iu referua nenit 7 të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, sipas të cilit gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik janë gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e shtetit, ndërsa përdorimi i gjuhëve të tjera zyrtare lejohet vetëm në mënyrën dhe kushtet e përcaktuara me Kushtetutë dhe ligj, pa cenuar pozitën primare të maqedonishtes. Ai shtoi se Ligji për provimin e jurisprudencës nuk parashikon mundësi për dhënie të provimit në gjuhë tjetër përveç maqedonishtes.

Ministri përmendi edhe qëndrimin e Komisionit të Venecias për Ligjin e përdorimit të gjuhëve, duke theksuar se janë paraqitur 13 iniciativa në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së tij, ndërsa vetë Komisioni ka konstatuar paqartësi serioze dhe ka rekomanduar rishqyrtim, veçanërisht për dygjuhësinë në procedurat gjyqësore.

Duke iu referuar deklaratave të Salit se Ministria e Drejtësisë “nuk ka argumente”, Filkov tha se kjo është e pasaktë dhe politikisht e motivuar, pasi argumentet janë të qarta, kushtetuese dhe ligjore, ndërsa ajo që mungon, sipas tij, është respekti ndaj sistemit juridik si tërësi.

Në fund, ministri i Drejtësisë dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë për zëvendëskryeministrin Sali, duke theksuar se Kushtetuta nuk është temë për emisione televizive dhe as mjet për narrativa politike, ndërsa drejtësia nuk guxon të jetë peng i asnjë agjende. Ai shtoi se kjo Qeveri synon të vendosë rend pas viteve të shkatërrimit institucional dhe të zbatojë reforma, e jo të prodhojë konflikte.

“Politika bëhet në zgjedhje, por kush mban funksion në një shtet juridik, duhet ta respektojë Kushtetutën dhe ligjet. Çdo gjë tjetër është presion – dhe nuk do të kalojë”, përfundoi Filkov.