Minçev: Qeveria e Przhinos e ka kryer misionin e saj dhe duhet të mbetet në të kaluarën

Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, në një paraqitje në emisionin “Tema e ditës” në Ditarin e televizionit Sitel, deklaroi se zgjidhja ligjore për ndryshimin e Ligjit për Qeverinë, me të cilën parashihet shfuqizimi i qeverisë teknike, përkatësisht e ashtuquajtura qeveri e Przhinos, ndodhet në fazën përfundimtare informon Tetovasot.

Minçev theksoi se procesi është zhvilluar në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse, me përfshirje aktive edhe të partive politike opozitare.

“Së bashku në takimin e liderëve kjo çështje u hap si një nga temat kryesore. Edhe pse kishte qëndrime të ndryshme, ne e zhvilluam procedurën maksimalisht në mënyrë transparente, me mundësi që edhe opozita të marrë pjesë në krijimin e zgjidhjes ligjore”, deklaroi Minçev.

Ai sqaroi se versioni i draft-ligjit u është dërguar të gjithë koordinatorëve të grupeve parlamentare në Kuvend, me afat për dorëzimin e vërejtjeve dhe sugjerimeve, një pjesë e të cilave janë pranuar.

“Janë pranuar vërejtjet e opozitës, përkatësisht kërkesat e LSDM-së që ministrat shtesë të shpërndahen në resorët që i kanë propozuar ata”, theksoi ministri.

Si zgjidhje kompromisi, është pranuar që qeveria teknike të vlejë edhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, pa marrë parasysh nëse ato do të jenë të rregullta apo të parakohshme, ndërsa pas kësaj ajo të shfuqizohet plotësisht.

Minçev nënvizoi se propozim-ligji do të dorëzohet nga Ministria e Administratës Publike në Qeveri, pas së cilës do të pasojë debati parlamentar.

“Ky ligj miratohet me 61 deputetë dhe pa shumicë të Badenterit. Vlerësojmë se 100 ditët e qeverisë teknike seriozisht e ngadalësojnë intensitetin e reformave. Qeveria e Przhinos u vendos në vitin 2016 për të siguruar zgjedhje të drejta dhe demokratike, ndërsa pas disa cikleve zgjedhore me vlerësime pozitive, konsiderojmë se e ka përmbushur misionin e saj dhe duhet të mbetet në të kaluarën”, përfundoi Minçev.TS