Mickoski: Qeveria punon në mënyrë proaktive për rinovimin e kapaciteteve të akomodimit turistik, pres që në vitin 2026 të kemi rritje të numrit të turistëve
Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjejeve të gazetarëve lidhur me lëvizjet në turizëm, sa kontribuon ai në zhvillimin ekonomik, si ishte viti 2025 dhe pritshmëritë për vitin 2026, deklaroi:
“Turizmi është një nga prioritetet tona. Vitin e kaluar, 2025, sipas të dhënave të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave, kemi pasur një rritje të numrit të turistëve, mbi 6%. Por ajo që veçanërisht inkurajon është se numri i turistëve të huaj është rritur mbi 10%, pra një numër dyshifror. Po afrohemi drejt shifrës së tre milion e gjysmë netëqëndrimeve, që gjithashtu përbën një të dhënë shumë të rëndësishme.
Këtë vit kemi përsëri grupe të organizuara, përsëri si Qeveri jemi proaktivë dhe punojmë. Dhe unë pres përsëri një rritje dyshifrore tek turistët e huaj dhe në përgjithësi pres që në vitin 2026 të kemi rritje të numrit të turistëve në Maqedoni. Punojmë paralelisht edhe për të mbështetur në ndërtimin, përmirësimin dhe rinovimin e kapaciteteve ekzistuese turistike akomoduese dhe të shërbimeve gastronomike. Qëllimi ynë është të arrijmë, nëse është e mundur, deri në pesë milion netëqëndrime në Maqedoni, gjë që do të përbënte një rekord historik. Tani po punojmë drejt kësaj. Këtë vit, hap pas hapi, të arrijmë tre milion e gjysmë, e më pas edhe më tej.”
Kryeministri Mickoski, lidhur me pritshmëritë për të arritur shifrën prej pesë milion netëqëndrime në Maqedoni, theksoi:
“Pra, nëse gjithçka shkon siç duhet, nuk do të çuditesha nëse kjo do të ndodhte në vitin 2028-2029”.