Mickoski: Opozita shqetësohet sepse po vjen koha e përgjegjësisë për kanabisin, memoria e tyre punon, secili rishikon çfarë ka bërë ose nënshkruar
Kryetari I Qeverisë, Hristijan Mickoski, në seancën e sotme parlamentare për pyetje deputetësh, duke u përgjigjur për koncesionet për kanabisin dhe aksionin që po zhvillohet, theksoi se ky aksion është duke u zbatuar për një periudhë të gjatë dhe drejtësia do të vijë në vendin e vet, dhe se opozita është e shqetësuar sepse po afrohet koha e përgjegjësisë për të gjithë personat e përfshirë, prandaj u punon memoria për atë se kush çfarë ka nënshkruar ose bërë, gjithashtu theksoi se është fakt që një kompani, nga e cila u sekuestruan 30 ton, ka lidhje me një funksionar të LSDM-së.
“Kjo Qeveri tashmë ka marrë gjashtë licenca, sipas informacioneve që kam, edhe disa të tjera do të merren gjatë periudhës në vijim, kontrollet vazhdojnë dhe pres që një numër i madh licencash të hiqen. Por po ashtu, për mua është më e rëndësishme të theksohet se çfarë është bërë gjatë viteve të kaluara, kur politika kryesore ekonomike e qeverisë së kaluar bazohej në dhënien e licencave dhe kultivimin e bimës së kanabisit, dhe të mos harrojmë 150 denarë abonim për RTM-në, të cilën e faturuan pesë herë. Kjo ishte politika kryesore ekonomike e qeverisë së kaluar, dhe normalisht përhapet histeria kur tani opozita e bën këtë pa ofruar asnjë zgjidhje,” theksoi kryeministri Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit Ljupço Prenxhov.
Kryeministri Mickoski theksoi se është fakt që kompania, nga e cila u sekuestruan më shumë se 30 tonë lule kanabisi, ka lidhje familjare me një funksionar të lartë të opozitës në të kaluarën, respektivisht me kryetarin e një organizate lokale të LSDM-së në Novo Selo, dhe ky është një fakt që askush nuk mund ta mohojë.
“Nuk është një kilogram, nuk është një ton, por 30 tonë, është fakt që këto dërgesa përfundojnë tek njerëz të afërt me qeverinë e kaluar, por nuk mund ta them këtë publikisht sepse është pjesë e hetimit. Heshtja i rëndon ata, ata janë mësuar me parada, kamera, pranga, poshtërime, nënvlerësime, nuk janë mësuar me komunikata publike apo deklarata të shkurtra, dhe kjo i shqetëson sepse më në fund po vjen koha e pagesës për atë që është bërë gabim më parë.
I shqetëson fakti që e shohin se nuk ka kthim pas, kur shohin se si kamionët mbushen me kanabis të sekuestruar, se si licencat u merren. Memoria u punon, secili rishikon çfarë ka bërë, çfarë ka nënshkruar, cilin dokument, çfarë ka gabuar, kjo është nënvetëdija dhe do të vazhdojë t’i rëndojë. Tani ata lutën që hetimi të përfundojë sa më shpejt, për të ditur se kush janë ata, nëse janë ata apo jo, nëse do të niset procedurë këtu për heqjen e imunitetit, dhe kjo i shqetëson”, deklaroi kryeministri Mickoski.
Kryeministri Mickoski shtoi se ka ndjesinë se shumë prej tyre do të habiten, sepse politika e tyre kryesore ekonomike bazohej te kanabisi, dhe për këtë arsye atyre u duket shumë edhe ajo që morën, 18 deputetë.
“Nuk po them se kam të dhëna, por kam ndjesinë se do të mbeten të befasuar nga ajo që do të ndodhë në periudhën në vijim. Ajo që pres është që drejtësia të vijë në vendin e vet dhe të gjithë personat përgjegjës të mbajnë llogari. Paramendoni një shtet ku politika kryesore ekonomike bazohej tek kanabisi, ata shkuan një hap më tej, deshën të krijojnë zona turistike të lira për kanabis, ku do të lejohej përdorimi i marihuanës.
Këta njerëz, dhe për këtë është shumë ajo që morën, 18 deputetë, pas gjithë asaj që bënë, edhe kjo është shumë. Nuk u mjaftoi fakti se tonelatat e kanabisit do të kultivohen dhe se gjeneratat e tjera rrezikojnë që të jenë potencialisht të varura nga kjo, ata ishin të vetëdijshëm për këtë dhe vendosën të krijonin zona të lira për konsumimin e kanabisit, duke përmendur Dojranin dhe Ohërin dhe jo rastësisht, sepse në këto rajone kishte më shumë plantacione, për të shmangur kostot e transportit. Kjo ka marrë fund dhe tani vjen koha e përgjegjësisë, dhe garantoj se përgjegjësi do të ketë,” ishte decid kryeministri Mickoski.
Kryeministri Mickoski gjithashtu theksoi se nuk është rastësi që aksioni është zhvilluar për një periudhë të gjatë dhe nuk është rastësi që fillimi ndodhi te fqinjët tanë veriorë dhe këtu mund të lindë dilema pse pikërisht atje ndodhi, dhe ndoshta përgjigjja mund të gjendet në grupin e ri strategjik të PR-it që udhëheq politikën në opozitë ose në Hotel Park në qendër të Shkupit.