Mickoski në takime të nivelit të lartë në Mynih: Në fokus siguria, ekonomia dhe integrimet evropiane

Dita e dytë e Konferencës së 62-të të Sigurisë në Mynih. Ditën e nisëm me një takim me Ted Deutsch, kryetar i Komitetit Amerikano-Hebraik, takim në të cilin biseduam për sfidat globale të sigurisë, por edhe për paqen, e cila gjithmonë duhet të jetë qëllimi ynë dhe drejt së cilës duhet të synojmë si politikanë.
Menjëherë pas kësaj, mora pjesë në fjalimin jashtëzakonisht frymëzues të Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, fjalim në të cilin ai edhe një herë theksoi sfidat globale botërore, para së gjithash ato të sigurisë, por edhe atë që për të është veçanërisht e rëndësishme, që ishte edhe thelbi i fjalimit të tij, lidhja e pandashme mes Evropës si kontinent dhe Amerikës si kontinent, ose për të qenë më i saktë, ashtu siç e quajti ai Amerikën, fëmijë të Evropës.
Ajo që ai përcolli si mesazh kryesor ishte se, si partnerë dhe si miq, duhet të vazhdojmë të bashkëpunojmë në botë, jo vetëm në kuadër të Aleancës së NATO-s, por edhe së bashku t’i zgjidhim të gjitha ato sfida të sigurisë, si dhe sfidat ekonomike me të cilat përballemi si dy kontinente të ndryshme, Evropa dhe Amerika.
Më pas vazhduam me një takim bilateral me kryeministrin e Holandës.
Në takim biseduam për tri çështje të rëndësishme për ne si shtet.
Së pari, jemi në të njëjtën konstituencë së bashku me Holandën në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar. Së dyti, investimet holandeze në Maqedoni, si dhe bashkëpunimi me kompaninë multinacionale “Philips” dhe mundësitë për bashkëpunim në sektorin e shëndetësisë. Dhe tema e tretë për të cilën biseduam ishin proceset eurointegruese të Maqedonisë në kuadër të Bashkimit Evropian.
Ditën e vazhdojmë me takime dhe aktivitete të tjera. Një nga këto takime do të jetë edhe takimi me presidentin e Ukrainës, Zelensky, më pas me ambasadorin Grenell, si dhe me përfaqësuesin e grupacionit financiar “Goldman Sachs”.
Na ndiqni, vazhdojmë me lajme të mira, vazhdojmë me surpriza të këndshme për qytetarët e Maqedonisë dhe për Maqedoninë.

