Mickoski: Detyrimi ynë është i qartë, ekonomi me rregull, treg me rregulla, shtet me dinjitet

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi sot se formalizimi i ekonomisë joformale dhe mbrojtja e standardit jetësor të qytetarëve mbeten ndër prioritetet kryesore të Qeverisë.

Në konferencën për formalizimin e ekonomisë joformale, ai theksoi se ekonomia gri nuk është thjesht çështje teknike apo debat ekspertësh, por temë që lidhet drejtpërdrejt me drejtësinë shoqërore dhe besimin në sistem. Sipas tij, ekonomia joformale dëmton buxhetin e shtetit, ul mundësitë për paga më të larta, shërbime më cilësore shëndetësore e arsimore dhe krijon konkurrencë jo-lojale në treg.

“Qëllimi ynë është i qartë: ekonomia formale të bëhet më tërheqëse se joformalja. Të jetë më e lehtë, më e leverdishme dhe më e sigurt të punohet ligjërisht”, u shpreh Mickoski.

Ai shprehu mirënjohje për ministren e Financave, Gordana Koçovska Dimitrievska, si dhe për institucionet përkatëse, duke theksuar se në kushte të presioneve ekonomike globale është arritur stabilitet financiar dhe përmirësim i mbledhjes së të ardhurave.

Kryeministri paralajmëroi masa konkrete për të luftuar ekonominë gri, përfshirë digjitalizimin e proceseve, uljen e barrierave administrative për bizneset, mbështetje për ndërmarrjet mikro dhe të vogla, si dhe rritje të transparencës dhe shkëmbimit të të dhënave mes institucioneve.

Paralelisht me këtë proces, Mickoski foli edhe për çmimet në markete, duke theksuar se Qeveria do të monitorojë çmimet e produkteve bazë, do të analizojë marzhet tregtare dhe do të bashkëpunojë me institucionet për të parandaluar abuzimet e mundshme.

“Kontrolli i çmimeve nuk është populizëm, por mbrojtje e qytetarëve”, tha ai, duke shtuar se ligji duhet të vlejë për të gjithë dhe se nuk do të tolerohen shmangiet e detyrimeve apo përfitimet spekulative në kurriz të qytetarëve.

Sipas tij, formalizimi i ekonomisë është pjesë e rrugës evropiane të vendit dhe një proces i domosdoshëm për ndërtimin e një shteti me rregull, transparencë dhe dinjitet.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo