Në kuadër të përmirësimit të pastërtisë dhe rregullit urban, në Komunën e Çair po vazhdon vendosja e kontejnerëve nëntokësorë, një projekt që synon të modernizojë sistemin e menaxhimit të mbeturinave dhe të përmirësojë cilësinë e jetës për banorët.
Gjatë promovimit të një lokacioni të ri në Fushë Topanë, Mexhiti theksoi se bëhet fjalë për një projekt modern që do të shtrihet në të gjithë komunën, duke sjellë më pak mbeturina në sipërfaqe, më shumë higjienë dhe një ambient më të rregullt për qytetarët.
Në aktivitet mori pjesë edhe drejtori i NP Higjiena Komunale – Shkup, Dragi Mitkovski, ndërsa ekipet prezantuan mënyrën e funksionimit të sistemit të ri, ku mbeturinat ruhen nën tokë, duke reduktuar aromat dhe duke liruar hapësirën mbi sipërfaqe.
Sipas të dhënave të komunës, deri më tani janë vendosur kontejnerë në gjashtë lokacione, me gjithsej 15 kontejnerë nëntokësorë në funksion. Plani parashikon që deri në fund të vitit sistemi të vendoset në 15 lokacione, me mbi 50 kontejnerë nëntokësorë në shërbim të qytetarëve.
Autoritetet lokale vlerësojnë se ky projekt është një hap drejt standardeve evropiane në menaxhimin e mbeturinave, duke kontribuar në mbrojtjen e mjedisit, shëndetit publik dhe përmirësimin e përditshëm të jetës urbane.