Me veturë goditi për vdekje 75-vjeçaren në Kapishtec dhe u arratis, arrestohet në Serbi 18-vjeçari Sait Saitov





Shoferi 18-vjeçar Sait Saitov, i cili muajin e kaluar shtypi për vdekje 75-vjeçaren Ljuba Jakovleska në lagjen Kapishtec të Shkupit, është arrestuar në qytetin serb të Vranjës.

​Lajmi u bë i ditur mbrëmë nga avokati Zvonko Davidoviq në podcast-in “Pretres”. Pas aksidentit të rëndë komunikacioni, shoferi i ri u largua nga vendi i ngjarjes dhe më pas braktisi shtetin, dyshohet me ndihmën e babait të tij dhe të afërmve të tjerë.

​Avokati Davidoviq deklaroi se i dyshuari do të ekstradohet nga Serbia në Maqedoni, duke shtuar se, sipas informacioneve të tij, me gjasë është ndaluar edhe babai i të dyshuarit.

​Ai vuri në dukje se të afërmit që ndihmuan në kalimin e kufirit pretendojnë se nuk e dinin që Saitov ishte autor i një vepre të rëndë penale. Sipas dëshmive të tyre, gjatë kalimit në pikën kufitare “Tabanoc”, ata nuk ishin në dijeni se shoferi i ri ishte i përfshirë në një aksident trafiku me pasoja fatale.
​”I besoj klientëve të mi se nuk e dinin që po transportonin autorin e një vepre kaq të rëndë penale. Burri punon në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe, për shkak të nevojave të fëmijës së tij me nevoja të veçanta, ka udhëtuar shpesh në Serbi për blerjen e suplementeve”, deklaroi Davidoviq.