Reperja e njohur Loredana Zefi do të jetë e ftuara e radhës në emisionin “Mirëmbrëma Yje” me moderatoren Arbana Osmani, në një intervistë që pritet të marrë vëmendje të madhe publike, pasi vjen vetëm pak javë pas publikimit të projektit muzikor “Diss*****” nga ish-partneri i saj, Mozzik.
Në teaser-in promovues të episodit që transmetohet të enjten, artistja dëgjohet duke folur për herë të parë publikisht pas këngës, duke iu referuar qartazi marrëdhënies me reperin dhe situatës që ka bërë bujë javët e fundit. Edhe pse në video nuk përmendet emër, konteksti është i kuptueshëm dhe deklarata e saj është mjaft e drejtpërdrejtë.
“Unë e kam duruar shumë. E kam duruar maksimalisht, e kam respektuar maksimalisht për shkak të pikës së dobët, vajzës. Më bëj dëm mua o vëlla, por mos i bëj dëm vajzës. Ndoshta mua më urren kaq shumë sa nuk do që të më shohë sytë. Ka mundësi dhe kjo edhe është okay. Ai është në gjendje që për famën e vet, për personalitetin e vet, është në gjendje të harrojë edhe vajzën”, shprehet ajo në fragmentin e publikuar.
Deklarata e saj vjen pas publikimit të mini-albumit të fundit të Mozzik, i cili përmban pesë këngë, ku projekti i pestë “Diss*****” ka tërhequr vëmendje të madhe për shkak të qasjes së pazakontë një diss drejtuar vetes. Në tekst, reperi përballet me të kaluarën, fëmijërinë, vështirësitë, paranojat dhe kritikat publike, përfshirë edhe akuzat për rolin e tij si prind.
Në një nga vargjet më të komentuara ai i drejtohet vetes me fraza që, sipas tij, i janë thënë ndër vite, duke përmendur edhe faktin se vajza e tij po rritet pranë partnerit aktual të Loredanës, futbollistit Karim Adeyemi.
Teaser-i i intervistës sugjeron një këndvështrim tjetër nga ai i paraqitur në këngë: atë të një nëne që pretendon se ka heshtur për hir të fëmijës dhe që ka zgjedhur të mos reagojë publikisht deri tani. Intervista pritet të jetë reagimi i parë i drejtpërdrejtë i artistes pas publikimit të projektit muzikor që riktheu në qendër të vëmendjes raportin mes dy ish-partnerëve.