Lista e gjeneralëve dhe oficerëve të lartë rusë të vrarë që nga viti 2022

Që nga nisja e pushtimit të Ukrainës nga Rusia, një numër zyrtarësh të lartë ushtarakë rusë janë vrarë në sulme të ndryshme, kryesisht me bomba të vendosura në automjete ose atentate të drejtpërdrejta.

Disa prej ngjarjeve kanë ndodhur edhe larg frontit të luftës, përfshirë në Moskë dhe Krime.

Rastet më të bujshme:

22 dhjetor 2025- Gjeneral Fanil Sarvarov u vra nga një bombë e vendosur nën automjetin e tij në jug të Moskës. Ai ishte kreu i drejtorisë së stërvitjes operacionale të ushtrisë në Shtabin e Përgjithshëm rus.

25 prill 2025- Gjeneral Yaroslav Moskalik (59 vjeç) humbi jetën nga një shpërthim bombe në makinë pranë Moskës. Moskalik mbante postin e zëvendësdrejtorit të drejtorisë kryesore të operacioneve të Shtabit të Përgjithshëm.

17 dhjetor 2024- Gjeneral Igor Kirillov, shef i trupave të mbrojtjes bërthamore, biologjike dhe kimike të Rusisë, u vra jashtë një pallati në Moskë, së bashku me ndihmësin e tij. Sulmi u krye me një bombë të fshehur në një skuter elektrik.

13 nëntor 2024- Një bombë e vendosur nën një makinë vrau një ushtarak rus në Sevastopol, në Krimenë e aneksuar. Burime të sigurisë ukrainase e identifikuan viktimën si Valery Trankovsky, kapiten detar i akuzuar nga Kievi për krime lufte.

11 korrik 2023- Oficeri rus Stanislav Rzhitsky, ish-komandant nëndetëseje në Detin e Zi dhe i përfshirë në listat ukrainase të të dyshuarve për krime lufte, u qëllua për vdekje ndërsa vraponte në mëngjes në qytetin Krasnodar.

Vrasjet e njëpasnjëshme të figurave të larta ushtarake kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë e brendshme në Rusi, ndërsa autoritetet ruse rrallëherë japin detaje mbi autorët apo motivet e sulmeve.