Lëvizja ZNAM do të inicojë uljen e numrit të deputetëve nga 120 në 90

Nënkryetarja e Lëvizjes ZNAM , Vesna Bendevska, në seancën e parë konstituive të grupit punues për reforma në legjislacionin zgjedhor, ka njoftuar se do të inicojnë uljen e numrit të deputetëve të Kuvendit të RMV-së nfa 120 në 90, transmeton Portalb.mk.

“E afirmoj, respektivisht riafirmoj qëndrimin e Lëvizjes ZNAM për uljen e numrit të deputetëve në 90, me çka do të kontribuohet në racionalizimin e shpenzimeve materiale, financiare dhe njerëzore dhe do të paraqesë përfitim të konsiderueshëm për Buxhetin e shtetit. Njëkohësisht, do të fitohet një trup ligjvënës më funksional, më efikas dhe më i konsoliduar, i cili do të jetë në shërbim të një procesi ligjvënës më të shpejtë, më cilësor dhe më serioz”, tha Bendevska.

Aj tha se ZNAM ka qëndrim të vendoset një njësi zgjedhore në vend të gjashtë sa janë aktualisht, dhe të ketë prag zgjedhor prej 2 deri në 3 përqind.

Nevoja për një Kod të ri Zgjedhor, i cili duhet të jetë gati deri në qershor, është dakorduar në takimin e liderëve të thirrur së fundmi nga kryeministri Hristijan Mickoski.

Kodi Zgjedhor është pjesë edhe e agjendës reformuese. Në takimin e fundit të koordinatorëve të grupeve parlamentare dhe ministrit të Drejtësisë u konstatua se, nëse deputetët e vlerësojnë të nevojshme, do të ndryshohet më shumë se një e treta e Kodit Zgjedhor. Në atë rast do të duhet të hartohen rregulla të reja zgjedhore; përndryshe, do të ndryshohet ligji ekzistues.

Për momentin është e sigurt se në Kodin e ri Zgjedhor do të përfshihen rekomandimet e OSBE/ODIHR nga zgjedhjet e vitit 2024. Rregullat e reja zgjedhore do të dakordohen nga deputetët në Kuvend, ndërsa bartëse e procesit do të jetë Ministria e Drejtësisë. Mbetet e paqartë nëse deputetët do të arrijnë konsensus edhe për çështje të tjera të legjislacionit zgjedhor. Derisa të marrin versionin draft të Kodit Zgjedhor, partitë nuk komentojnë se cilat do të jenë kërkesat e tjera që do t’i shtrojnë në tryezë.

Ende mbetet të shihet nëse partitë sërish do të propozojnë ndryshimin e modelit zgjedhor, përkatësisht që Maqedonia e Veriut të jetë një njësi e vetme zgjedhore në vend të modelit aktual me gjashtë njësi zgjedhore me sistem proporcional dhe lista të hapura; nëse do të ketë ndryshime lidhur me financimin e partive politike, reklamimin e tyre, pragun për pjesëmarrjen e kandidatëve të pavarur, cenzusin për zgjedhjen e presidentit të shtetit dhe të kryetarëve të komunave, e kështu me radhë.

Kodi Zgjedhor është një nga ligjet që deri më tani ka pësuar më së shumti ndryshime, rreth 40 herë.

Në mandatin e qeverisë së kaluar, Ministria e Drejtësisë përgatiti Kod të ri Zgjedhor, por ai kurrë nuk u dërgua as në Qeveri e as në Kuvend, pasi për të nuk u arrit konsensus politik.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo