Lavdia si mjegull dhe dështimi që shpallet sukses

Kur lavdia prodhohet me vendim unanim, ndërsa heshtja me frikë, institucioni nuk jeton më nga e vërteta, por nga iluzioni. Ky shkrim nuk kërkon të rrëzojë mite; ai kërkon të zbulojë se si dështimi, kur përsëritet mjaftueshëm, fillon të quhet sukses

Nga Mr. Eset Shaqiri, teolog

Ka institucione që mblidhen për të reflektuar, dhe ka institucione që mblidhen për t’u duartrokitur. Ka mbledhje ku fjala shërben për të hapur plagë, për t’i pastruar dhe për t’i shëruar, dhe ka mbledhje ku fjala përdoret si garzë e rreme për t’i mbuluar ato, derisa infeksioni të bëhet sistemik. Mbledhja e fundit e Rijasetit të Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut i përket pa asnjë dilemë kategorisë së dytë: një ritual vetëlavdërimi i orkestruar me përpikëri, ku çdo fjali është parfum për dështimin dhe çdo statistikë një perde për krizën.
Shaqir Fetai, sa herë që realiteti i shpërbërjes institucionale kërcënon ta zërë ngushtë, nuk zgjedh ballafaqimin, por ceremoninë. Nuk zgjedh llogaridhënien, por skenografinë. Organizimi i mbledhjeve nuk shërben për të ndrequr gjendjen, por për ta ricikluar narrativën. Dhe narrativat e tij janë gjithmonë të njëjta: “suksese shekullore”, “vite rekord”, “rezultate mbresëlënëse”. Një gjuhë e tillë nuk është gjuhë raportimi institucional; është gjuhë vetëmbrojtje, gjuhë paniku të fshehur pas superlativave.
Formula është tashmë e njohur, e konsumuar, e parashikueshme deri në mërzi: lavdërimi fillon gjithmonë nga të tjerët, nga sekretari, shefi i kabinetit, kryetari i Kuvendit, myftinjtë, drejtuesit e institucioneve, besimtarët në përgjithësi, për t’u kthyer më pas, në mënyrë ciklike dhe të pashmangshme, sërish te kryefjala e çdo “suksesi”: vetë i vetëshpalluri Reisul Ulema. Një rreth i mbyllur ku fjala nuk qarkullon, por rrotullohet. Ku mendimi nuk lind, por ricitohet. Ku askush nuk bindet, por të gjithë frikësohen.
Ky nuk është konsensus i bindjes, por konsensus i frikës. Nuk është unanimitet i fituar, por unanimitet i prodhuar. Një teatër institucional ku rolet janë të ndara paraprakisht dhe ku improvizimi ndalohet, sepse rrezikon ta nxjerrë në pah zbrazëtinë.
Ndërkohë që fjalimet flasin për “vitin më të suksesshëm në histori”, realiteti flet për një BFI të përçarë, të fragmentuar, të zhveshur nga autoriteti moral, institucional dhe shoqëror. Kurrë më parë ky institucion nuk ka qenë kaq i dobët në terren dhe kaq i zëshëm në letra. Kurrë më parë degradimi nuk është paraqitur me kaq këmbëngulje si triumf, dhe rënia si ngritje.
Raportet financiare miratohen unanimisht, por pa asnjë reflektim publik mbi nevojën e një auditi të pavarur, një standard elementar për çdo institucion serioz në botë. Pyetja nuk është nëse shifrat janë “pozitive” në letër, por nëse ato përkthehen në besim, në funksionalitet, në drejtësi institucionale dhe në ndjenjë sigurie për besimtarin e zakonshëm. Kur llogaritë mbyllen gjithmonë bukur, por institucionet duken gjithmonë më keq, problemi nuk është te matematika, por te morali.
Aty ku raporti hesht, fillon përgjegjësia. Dhe këtu heshtja është e zhurmshme. Nuk thuhet asnjë fjalë për konfliktet e hapura me myftinitë, për përplasjet e pazgjidhura, për kompromiset e errëta dhe për koston reale, institucionale, financiare dhe morale, të “zgjidhjeve” të improvizuara. Nuk u raportua mbi koston financiare që i kushtoi BFI-së nga “marrëveshja paqësore” në mes të Shaqir Fetait dhe ish-myftiut të Tetovës. Sa financa humbi BFI-ja nga pranimi i myftiut aktual të Tetovës për të qenë “personazh vullnetar” në intrigat e Shaqir Fetait! Sa po i kushton BFI-së loja nëntokësore e myftiut aktual të Shkupit? Nuk thuhet asgjë për plagët e trashëguara që hapen çdo Ramazan e nuk mbyllen kurrë: xhami të uzurpuara (Shtip), xhami të parealizuara (Prilep), xhami të personalizuara (Kumanovë, Shkup, Dibër, Kërçovë, Prilep), ku autoriteti i BFI-së jo vetëm që mungon, por mohohet tërësisht.
Në vend të llogaridhënies, ofrohet spektakël. Në vend të përgjegjësisë, ofrohen fotografi. Në vend të ballafaqimit me problemet reale, ofrohen vizita simbolike, takime protokollare dhe pjesëmarrje periferike në forume ndërkombëtare, të paraqitura si ftesa ekskluzive dhe si arritje personale. Kjo nuk është diplomaci fetare; është inflacion i vetërëndësisë dhe keqpërdorim i simbolikës.
Kur çdo dalje jashtë vendit paraqitet si ngjarje epokale, ndërkohë që terreni brenda vendit mbetet i pakontrolluar, kemi të bëjmë me një zhvendosje të rrezikshme të fokusit: nga shërbimi ndaj komunitetit, te ndërtimi i imazhit personal. Një lider që nuk e kontrollon terrenin, por kontrollon narrativën, nuk është lider institucional, është administrator i propagandës së vet.
Dhe propaganda ka këtë veçori: sa më shumë përsëritet, aq më pak bind. Sepse realiteti nuk zhduket me fjali të bukura, as me superlativa, as me fotografi të kuruara. Ai vetëm shtyhet përkohësisht, derisa të kthehet më i rëndë, më i dukshëm, më i pashmangshëm.
Shaqir Fetai mund të vazhdojë të flasë për “suksese shekullore”, por historia e BFI-së nuk shkruhet me fjalor ceremonial. Ajo shkruhet me institucione funksionale, me transparencë, me autoritet moral dhe me ndjenjën se komuniteti është në duar të sigurta. Në mungesë të këtyre, çdo lavdërim tingëllon si zhurmë, çdo mbledhje si alibi, dhe çdo raport si mbulesë.
Dështimi më i madh nuk është gabimi. Gabimi është pjesë e çdo institucioni të gjallë. Dështimi i vërtetë është ta paraqesësh gabimin si sukses, ta shesësh krizën si arritje dhe ta kthesh institucionin në pasqyrë të egos personale. Dhe pikërisht këtu, në këtë pikë të verbër mes vetëlavdërimit dhe realitetit, Shaqir Fetai rrezikon të mbetet jo thjesht si figurë e debatueshme, por si simbol i një epoke të humbur për Bashkësinë Fetare Islame, një epokë ku fjala u përdor për të fshehur krizën jo për ta zgjidhur, për t’i zbukuruar plagët e jo për t’i shëruar.