Kurti kujton masakrën e shkurtit të vitit 2000 në Mitrovicë: Populli i Kosovës nuk harron asgjë dhe askë
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se çdo veprim i Qeverisë së Kosovës në veri gjatë pesë vjetëve duhet lexuar duke e ruajtur në sfond historinë e ngjarjeve të 3-4 shkurtit të vitit 2000 spastrimit etnik të shkurtit të vitit 2000 në Mitrovicë, po aq edhe sulmin terrorist në Banjskë në shtator të vitit 2023 ku pati përpjekje për aneksim territori.
Në 26-vjetorin e fillimit të spastrimit etnik në veri të Mitrovicës, Kurti ka rikujtuar masakrën e natës mes 3 dhe 4 shkurtit 2000, kur, sipas tij, shteti i Serbisë përmes forcave policore dhe grupeve paraushtarake kreu dëbimin e dhunshëm të mijëra shqiptarëve nga shtëpitë e tyre në veri të qytetit.
“Vetëm shtatë muaj pas çlirimit të Kosovës, Mitrovica u spastrua etnikisht nga shteti i Serbisë. Nën kërcënimin e armëve dhe vdekjes, mijëra shqiptarë u dëbuan drejt jugut të lumit Ibër. Gjatë këtij aksioni kriminal u vranë dhjetë shqiptarë dhe u plagosën 25 të tjerë”, ka thënë Kurti.
Ai ka përmendur me emër dhjetë viktimat e asaj nate, duke theksuar se më i riu ishte 13 vjeç, ndërsa më i moshuari 65 vjeç. Sipas Kurtit, gjatë muajit shkurt të vitit 2000, Serbia arriti të dëbonte nga Mitrovica 1.564 familje shqiptare, me gjithsej mbi 11 mijë anëtarë, pavarësisht pranisë së forcave ndërkombëtare paqeruajtëse.
Kryeministri në detyrë ka theksuar se drejtësia për këtë krim ende nuk është vendosur plotësisht dhe se viktimat vazhdojnë të përballen me pasojat e dëbimit edhe pas 26 vjetësh.
Ai ka shtuar se vetëm vitet e fundit, pas shtrirjes së sovranitetit dhe sundimit të ligjit nga institucionet e Kosovës, ka filluar kthimi i të dëbuarve në pronat e tyre në veri. Sipas tij, gjatë katër vjetëve të fundit janë ndërtuar dhe rindërtuar mbi 150 shtëpi në katër komunat veriore të vendit.
“Çdo veprim i Qeverisë së Republikës së Kosovës në veri duhet lexuar duke e ruajtur në sfond historinë e shkurtit 2000 në Mitrovicë, po aq sa edhe sulmin terrorist në Banjskë, me synim aneksimin e territorit”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se sot Mitrovica është qytet ku jetojnë së bashku të gjithë qytetarët pa dallime etnike, duke nënvizuar se institucionet e Kosovës angazhohen për drejtësi, barazi dhe sundim të ligjit.
“Nuk harrojmë asgjë dhe askë. I nderojmë të rënët, i mbështesim të plagosurit dhe të dëbuarit, për drejtësi, për paqe dhe për të ardhmen e Kosovës”, ka përfunduar Kurti.