Kryetari i Antikorrupsionit: 35 ish-kryetarë dhe 19 kryetarë të rinj të komunave nuk kanë dorëzuar deklarata për pasurinë
Kryetari i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Adem Çuçul, në emisionin “Click Plus” në TV21, informoi se Komisioni po monitoron intensivisht deklarimin e gjendjes pasurore dhe interesave të personave të zgjedhur dhe të emëruar, me ç’rast janë konstatuar lëshime të shumta te një pjesë e kryetarëve të komunave.
Çuçul vuri në dukje se verifikimet kanë filluar me kryetarët e komunave fillimisht pas zgjedhjeve lokale dhe pas marrjes së detyrës së tij si kryetar i KSHPK-së.
“Konstatuam se 35 ish-kryetarë dhe 19 kryetarë të rinj komunash nuk kanë dorëzuar deklarata për gjendjen pasurore. Për të gjithë ata kemi shqiptuar urdhërpagesa përkatëse për kundërvajtje”, deklaroi Çuçul.
Ai njoftoi se aktualisht është në vijim e sipër verifikimi edhe i këshilltarëve komunalë, të cilët mund të mos e kenë përmbushur detyrimin ligjor për dorëzimin e deklaratës së pasurisë dhe interesave.
“Tani jemi në fazën e verifikimit të këshilltarëve nëpër komuna që nuk e kanë përmbushur obligimin ligjor. Së shpejti do të dalim me shifra konkrete”, theksoi kryetari i KSHPK-së.
Përveç zyrtarëve lokalë, Komisioni ka kryer verifikime edhe te gjyqtarët dhe prokurorët publikë. Sipas Çuçulit, te kjo kategori personash problemi rrjedh nga kalimi në zgjidhjen e re elektronike për deklarimin e pasurisë, e cila është në përdorim nga viti 2024.
“Një pjesë e madhe e tyre kanë dorëzuar deklarata përmes sistemit të vjetër. Ligji i vitit 2019 nuk parashikon sanksion kundërvajtës nëse nuk dorëzojnë deklaratë përmes sistemit të ri”, sqaroi Çuçul.
Ai shtoi se KSHPK, në koordinim me Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin e Prokurorëve Publikë, do të kontaktojë me të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët për të siguruar dorëzimin e deklaratave sipas softuerit të ri, i cili, siç theksoi ai, mundëson deklarim më të detajuar dhe më të gjerë të gjendjes pasurore.
“Pothuajse të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët kanë deklaruar gjithçka që duhet, por qëllimi është që kjo të bëhet përmes zgjidhjes së re elektronike”, nënvizoi Çuçul.