Kasami: Nesër Kuvendi Qendror i Lëvizes BESA, vlerësojmë pozicionin tonë në Qeveri, vendim për rrugëtimin tonë të mëtutjeshëm





Kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, deklaroi se kapaciteti i partisë së tij brenda koalicionit VLEN dhe në qeveri është më i madh sesa ajo që është reflektuar deri më tani në praktikë. Në një paraqitje në emisionin “Click Plus” në TV21, ai bëri të ditur se nesër do të mblidhet Kuvendi Qendror i partisë për të shqyrtuar performancën e kuadrove dhe pozicionimin politik në ekzekutiv.

Kasami theksoi se nuk ka kënaqësi të plotë me angazhimin aktual, duke nënvizuar nevojën për përkushtim më të madh nga të gjitha dikasterët që udhëhiqen nga Lëvizja Besa.

“Gjithmonë ka nevojë për më shumë angazhim nga të gjitha dikasterët që i udhëheqim. Kemi bërë disa analiza për të identifikuar anët e forta dhe të dobëta të Lëvizjes Besa në kuadër të VLEN-it dhe si pjesë e qeverisë”, deklaroi Kasami.

Ai sqaroi se mbledhja e Kuvendit Qendror do të shërbejë për raportim të funksionarëve dhe për vlerësim të rezultateve të menaxhimit institucional, ndërsa pritet të merren edhe qëndrime për hapat e ardhshëm të partisë në qeverisje.

Sipas tij, ky forum, si organi më i lartë i partisë mes dy kongreseve, do të vendosë nëse niveli i përfaqësimit dhe performancës është në përputhje me pritjet dhe nëse kërkohen ndryshime në rrugëtimin e mëtejmë politik.