Kanadaja do ta hapë konsullatën e saj të parë diplomatike në Grenlandë.
Ky veprim shihet si një shenjë e fortë solidariteti, pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili kishte kërcënuar se SHBA-ja duhet ta marrë kontrollin e këtij territori.
Një delegacion i lartë kanadez, ku përfshihen Guvernatorja e Përgjithshme Mary Simon dhe ministrja e Jashtme Anita Anand, do të udhëtojë të premten drejt qytetit Nuuk, raporton BBC. Ato do të marrin pjesë në hapjen zyrtare të konsullatës kanadeze.
Para udhëtimit, Simon deklaroi se Kanadaja “qëndron fuqishëm në mbështetje të popullit të Grenlandës, i cili ka të drejtën të vendosë vetë për të ardhmen e tij”.
Vizita e kanadezëve përkon me një vizitë të ngjashme nga zyrtarë francezë, të cilët po ashtu do të hapin konsullatën e tyre në Grenlandë në të njëjtën ditë.
Hapja e konsullatave nga Kanadaja dhe Franca shënon një zgjerim historik të pranisë diplomatike të huaj në Grenlandë. Deri këtë javë, vetëm Islanda dhe Shtetet e Bashkuara kishin konsullata zyrtare në Nuuk.
Ky hap dërgon gjithashtu një mesazh të qartë për mbështetjen e vazhdueshme të aleatëve të NATO-s ndaj Grenlandës, pas deklaratave të Trumpit se SHBA ka nevojë ta “zotërojë” territorin për arsye sigurie kombëtare. Më vonë, Trump i zbuti komentet e tij, duke thënë se tani po shqyrton një marrëveshje të mundshme pas bisedimeve me Danimarkën, aleatët evropianë dhe Kanadanë.