Jorida Tabaku: Imuniteti i Ballukut test kritik për procesin e integrimit, e keni kthyer Kuvendin në mburojë të të korruptuarve

Në fjalën e saj në Kuvend, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, theksoi se maxhoranca po dështon që të plotësojë kriteret e kërkuara për integrimin në BE.

Deputetja u shpreh se në të paktën 10 vite, Kuvendi nuk ka miratuar një rezolutë të përbashkët për procesin e integrimit, dhe për këtë e drejtoi gishtin nga maxhoranca.

Ajo tha se edhe evropianët e shprehën qartë se testi kritik për vijimësinë e integrimit, është çështja e Belinda Ballukut, për të cilën SPAK ka kërkuar që t’i hiqet imuniteti me qëllim dhënien e një mase për arrestimin e saj.

“Parlamenti vitet e fundit ka dështuar të ketë debat real qoftë për politikën e jashtme si dhe për procesin e integrimit. Ka të paktën 10 vite që parlamenti nuk merr mundimin të diskutojë një rezolutë të përbashkët për integrimin.

Shqipëria ka asetin se opozita e mbështet këtë proces. Ka një opozitë që çdo ditë pavarësisht mosdakordësive që kemi, është këtu edhe për procesin e integrimit. Ku kemi dështuar? Në këto 12 vite, dështimi ka qenë me maxhorancën. Sot Shqipëria do të ishte me një proces drejt përfundimit.

Por çdo vit në vend që të merrej me plotësimin e kritereve, janë marrë me propagandën. Për herë të parë, Shqipëria është në shkelje të marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, ka të paktën 6 ligje që kanë shkelur këtë marrëveshjeje. Për herë të parë, Shqipëria është duke miratuar ligje që cenojnë detyrimet që janë marrë me angazhimet e proceseve paralele, qoftë nga procesi i Berlinit, te Plani i Rritjes. Po dështojmë të plotësojmë kriteret e integrimit.

Test kritik për procesin e integrimit është imuniteti i zv kryeministres. A është drejtësia e barabartë për të gjithë? E dyta lufta ndaj korrupsionit, siç tha edhe kryetari i komisionit të jashtëm se Shqipëria ra 11 vende në indeksin e korrupsionit. Sot edhe çështjet e sigurisë janë cenuar. Skandali i AKSHI-t ka cenuar sigurinë kombëtare”, u shpreh Tabaku.

Më tej, Tabaku shtoi:

“Përgjegjësia politike për të marrë një proces që duhet të ishte për shqiptarët, por është kthyer në një proces për të mbrojtur zyrtarët e korruptuar, përdorur parlamentin si mburojë, mandatet e zgjedhjeve siç thotë raporti të kontestuara me përqendrim të lartë të pushtetit, blerje të votave, mungesë të rotacionit politik edhe si rezultat të grupeve kriminale, për veten e tyre. Kjo është qeveri e të pandehurve.”, tha ajo.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo