Ish-presidentja Atifete Jahjaga ka hedhur poshtë kategorikisht raportimet që e lidhin emrin e saj me dosjen “Epstein”, duke i cilësuar ato si tërësisht të pabaza dhe të pavërteta.
Në një deklaratë të publikuar në Facebook, Jahjaga ka theksuar se gjatë mandatit të saj si presidente e Kosovës nuk ka pasur asnjëherë njohje, takim apo çfarëdo kontakti me Epsteinin.
Sipas saj, çdo pretendim për një lidhje personale apo institucionale është i pavërtetë dhe nuk mbështetet në asnjë fakt.
“Përmendja e emrit tim nga mediat me rastin e dokumenteve të publikuara së fundmi lidhet vetëm me një korrespondencë elektronike të palëve të treta, e cila nuk përbën dhe nuk dëshmon asnjë takim, njohje apo lidhje personale me mua. Emri im askund nuk përmendet në asnjë lloj dokumenti të publikuar”, ka shkruar Jahjaga.
Ajo tutje ka shtuar se në emailin në fjalë përmendet presidenti i Kosovës, por pa u specifikuar se për cilin president bëhet fjalë, ndërsa nuk ka asnjë kërkesë për takim në emër të saj apo të ndonjë përfaqësuesi të presidencës.
“Çdo raportim ndryshe është insinuatë dhe mashtrim i opinionit publik”, ka deklaruar Jahjaga, duke shtuar se kjo mund të vërehet lehtësisht nga vetë dokumentet e publikuara.
Ajo ka kërkuar që ky sqarim të publikohet nga mediat që kanë përmendur emrin e saj, duke theksuar se në asnjë funksion që ka ushtruar deri më tani nuk e ka njohur, takuar apo ka kërkuar takim me personin e përmendur në dosje.
Në dokumentet e radhës të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë të SHBA-së për Jeffrey Epstein, përmenden edhe dy ish-presidentë të Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Behgjet Pacolli. Por të dy e kanë mohuar ta kenë njohur ose takuar Epsteinin.