Ish prokurorja Lejla Kadriu trondit opinionin: Spitalet modulare kushtuan 300 mijë euro, por u morën 30 milionë! (VIDEO)
Ish-prokurorja Lejla Kadriu ka ngritur akuza të rënda lidhur me ndërtimin e spitaleve modulare, duke deklaruar se kostoja reale e tyre ishte rreth 300 mijë euro, ndërsa janë shpenzuar plot 30 milionë euro nga fondet e Bankës Botrore.
Duke folur në një emision në gjuhën maqedonase, Kadriu tha se gjatë hulumtimeve për shkaqet e zjarrit në Spitalin Modular në Tetovë, është analizuar edhe mënyra e ndërtimit të këtyre objekteve dhe burimi i financimit të tyre, përcjell TS.
Sipas saj, mjetet financiare janë siguruar nga Banka Botërore në vlerë prej 90 milionë euro, nga të cilat 60 milionë euro ishin të destinuara për barna, ndërsa 30 milionë euro për ndërtimin e spitaleve modulare.
“Bëhet fjalë për 30 milionë euro për 10 spitale modulare të ndërtuara nga materiale të riciklueshme. Kur pyetëm për çmimin e paneleve rezistente ndaj zjarrit, u konstatua se panelet me lesh guri, që nuk digjen për 40 minuta, kushtonin rreth 17 euro, ndërsa panelet e ricikluara me shkumë të presuar kushtonin 5–6 euro. Të gjitha këto spitale modulare realisht mund të kishin kushtuar rreth 300 mijë euro, por janë shpenzuar 30 milionë euro”, deklaroi Kadriu./TS/