Isa Elmazi nga Tetova do të marrë pjesë në njërën nga garat më prestigjioze në botë – Karate One Youth League

Isa Elmazi karateisti nga Tetova udhëtoi sot drejt Fujairah, ku do të marrë pjesë në njërën nga garat më prestigjioze në botë – Karate One Youth League, liga botërore e të rinjve. Në këtë ligë elitare, Isa Elmazi do të garojë në kategorinë -70 kg, kadet, së bashku me trajnerin e klubit tonë Driton Halimi, në periudhën nga 12–15 shkurt.

Ky event do të shënojë një rekord pjesëmarrjeje, me 2236 garues nga 93 shtete, duke e bërë konkurrencën jashtëzakonisht të fortë dhe prestigjioze. Isa ka qenë pjesëmarrës i rregullt në shumicën e etapave të kësaj lige botërore, të zhvilluara në Itali, Kroaci, Spanjë dhe Fujairah, ndërsa vitin e kaluar u shpall kampion në Venecia, Itali, duke konfirmuar potencialin dhe cilësinë e tij të lartë.

Isa Elmazi është i përgatitur maksimalisht për këtë sfidë të radhës. Ai posedon një përvojë të shkëlqyer në gara me karakter evropian dhe botëror. Vetëm një javë më parë, Isa mori pjesë në Kampionatin Evropian për Kadetë, Juniorë dhe U21, të mbajtur në Limassol të Qipros, ku garën e përfundoi në luftën e dytë, duke fituar përvojë të çmuar në nivelin më të lartë kontinental.

Bëhet fjalë për një perspektivë të madhe të karatesë, një talent që punon me përkushtim të jashtëzakonshëm dhe synon majat e sportit të karatesë.

Isa Elmazi deklaroi:
“Jam i përgatitur për këtë garë dhe besoj se mund të fitoj medalje në këtë ligë, ku po marr pjesë për herë të dytë radhazi. Kam shpresë se përvoja dhe përgatitja ime aktuale do të më ndihmojnë të arrij sukses dhe të jem fitues në këtë garë.”

Ndërsa Arlind Huseini, trajner, u shpreh:
“Si trajner jam optimist dhe besoj se Isa do të arrijë rezultat të lartë. Kjo garë është tashmë e njohur për të, pasi merr pjesë për herë të dytë, dhe përvoja e tij më jep bindjen se Isa do të synojë podiumin më të lartë në Ligën Botërore të të Rinjve në Fujairah. Gara do të jetë shumë e fortë, por Isa është jashtëzakonisht i përgatitur. Në këtë event ai do të udhëhiqet nga trajneri ynë i klubit, Driton Halimi, i cili gjithashtu ka përvojë të lartë si ish-garues.”

Shkruan Buran Musliu

Isa Elmazi nga Tetova do të marrë pjesë në njërën nga garat më prestigjioze në botë – Karate One Youth League