Fondi danez i investimeve “Vaekstkapital Group” ka hyrë fuqishëm në tregun e patundshmërive në Shkup, duke blerë deri më tani 250 banesa në ndërtim e sipër në lokacione tërheqëse, me planin për të blerë edhe të paktën 250 të tjera deri në fund të vitit.
Përfaqësuesit e fondit konfirmuan për Telma se synimi i tyre afatshkurtër është të zotërojnë të paktën 1.000 banesa në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, megjithëse ende nuk kanë bërë të ditur nëse këto njësi do të përdoren për rishitje apo për qiradhënie. Strategjia e tyre bazohet në bashkëpunimin me agjenci lokale dhe blerjen e banesave që në fazën fillestare të gërmimit të themeleve, gjë që u mundëson të sigurojnë çmime shumë më të ulëta se ato finale të tregut.
Sipas bashkëthemeluesit të fondit, Jens Kindberg, ky investim po realizohet aktualisht me mjetet e tij personale, si një hap paraprak përpara se të ftojë investitorë të tjerë gjatë këtij viti. Ai theksoi se vendimi për të investuar në Shkup erdhi pas vlerësimit të perspektivës pozitive ekonomike të vendit dhe potencialit që ofron rritja e klasës së mesme dhe rinia e arsimuar.
Fondi “Vaekstkapital”, i cili është i regjistruar në Luksemburg dhe ka një portofol investimesh prej mbi 4 miliardë eurosh në mbarë Evropën, ka ndjekur një model të ngjashëm suksesi edhe në Sofje të Bullgarisë, ku synon të bëhet qiradhënësi më i madh i banesave deri në vitin 2030.