Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres bëri thirrje sot për krijimin e një fondi global prej 3 miliardë dollarësh për inteligjencën artificiale për të ndihmuar vendet në zhvillim të ndërtojnë kapacitete bazë dhe të shmangin mbetjen prapa, transmeton Anadolu.
Duke folur në samitin e Indisë për Inteligjencën Artificiale në New Delhi, Guterres tha se e ardhmja e Inteligjencës Artificiale “nuk mund të vendoset nga një grusht vendesh ose të lihet në dorë të disa miliarderëve”, duke shtuar se “IA duhet t’u përkasë të gjithëve”.
“Ne duhet ta zëvendësojmë entuziazmin dhe frikën me prova të përbashkëta dhe të mbyllim boshllëqet e njohurive”, tha ai.
Guterres tha se Asambleja e Përgjithshme e OKB-së vitin e kaluar krijoi panel shkencor ndërkombëtar të pavarur mbi Inteligjencën Artificiale dhe nisi dialog global mbi qeverisjen e Inteligjencës Artificiale brenda Kombeve të Bashkuara.
“Për të harmonizuar përpjekjet, për të mbështetur të drejtat e njeriut dhe për të parandaluar keqpërdorimin. Dhe për të avancuar masat tona të përbashkëta të sigurisë, themelin e ndërveprimit”, tha ai.
Duke paralajmëruar se “pa investime, shumë vende do të dalin nga epoka e Inteligjencës Artificiale”, Guterres tha se Inteligjenca Artificiale duhet të jetë e arritshme për të gjithë.
Ai propozoi fond global për të ndërtuar kapacitete në vendet në zhvillim, duke mbuluar aftësitë, të dhënat, fuqinë kompjuterike të përballueshme dhe ekosistemet gjithëpërfshirëse.
“Objektivi ynë është 3 miliardë dollarë. Kjo është më pak se 1 për qind e të ardhurave vjetore të një kompanie të vetme teknologjike. Një çmim i vogël për përhapjen e IA-së që u sjell dobi të gjithëve, përfshin bizneset që ndërtojnë IA-në”, tha ai.
Guterres tha se IA mund të përparojë objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm, të përshpejtojë përparimet shkencore dhe të përmirësojë aksesin në shërbimet publike thelbësore. Por, ai paralajmëroi se ajo mund të thellojë pabarazinë, të amplifikojë paragjykimet dhe të shkaktojë dëm.
“Ne duhet të investojmë në punëtorë në mënyrë që IA të shtojë potencialin njerëzor, jo vetëm ta zëvendësojë atë”, tha ai.
Guterres shtoi se IA duhet të jetë e sigurt për të gjithë. “Ne duhet t’i mbrojmë njerëzit nga shfrytëzimi, manipulimi dhe abuzimi. Asnjë fëmijë nuk duhet të jetë subjekt prove për IA-në e parregulluar”, kreu i OKB-së.