Fjalim i Trumpit, rezolutë e përbashkët – zbardhet agjenda e mbledhjes së parë të Bordit të Paqes

Sot në Washington do të zhvillohet takimi inaugurues i Bordit të Paqes i Presidentit të SHBA-së Donald Trump. Ky bord synon të çojë përpara rindërtimin e Gazës.

Takimi vjen gati katër muaj pasi administrata Trump ndërmjetësoi një armëpushim në Rripin e Gazës që lejoi lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura izraelite.

Në këtë strukturë të re marrin pjesë edhe Shqipëria dhe Kosova.

Shqipëria ratifikoi aderimin me 110 vota pro në Kuvend, pas ftesës së Edi Ramës nga Donald Trump, ndërsa presidentja e vendit Vjosa Osmani përfaqësoi Kosovën në Davos, ku nënshkroi dokumentin themelues.

Presidentja Osmani e ka vlerësuar përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes, si vend anëtar dhe bashkëthemelues, si një nga zhvillimet më të rëndësishme të politikës së jashtme të vendit në vitet e fundit, duke theksuar se ky hap e fuqizon drejtpërdrejt subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar të punojë ngushtë me aleatin tonë kryesor, SHBA-të, dhe me Bordin e Paqes për të sjellë rezultate konkrete, për të mbështetur paqen dhe stabilitetin në rajonet e prekura nga konfliktet dhe për të promovuar një të ardhme të bazuar në bashkëpunim, siguri dhe prosperitet të përbashkët”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Ndërsa SHBA-të po e quajnë takimin e së enjtes si një takim inaugurues, anëtarët e Bordit të Paqes u takuan muajin e kaluar në Zvicër për një ceremoni nënshkrimi në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror.

Agjenda:

Mbledhja e sotme do të fillojë me një mëngjes në orën 9:00 (15:00 sipas orës lokale në Kosovë).

Trump do të mbërrijë në orën 10:00 për të mbajtur fjalimin hapës dhe për të nënshkruar një numër rezolutash që kanë të bëjnë me Gazën.

Kryetari i secilit delegacion të pranishëm u udhëzua të ofronte një fjalim të shkurtër, gjatë të cilit ata inkurajohen të njoftojnë kontributet e tyre në përpjekjet e rindërtimit të Gazës.

Do të ketë gjithashtu fjalime nga Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ndihmësit e lartë të Trump, Jared Kushner dhe Steve Witkoff, Ambasadori i SHBA-së në OKB, Mike Waltz, ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair dhe Përfaqësuesi i Lartë i Bordit të Paqes për Gazën, Nickolay Mladenov, thotë zyrtari amerikan.

Rubio është anëtar i Bordit Ekzekutiv të Bordit të Paqes, ndërsa Kushner, Ëitkoff, Blair dhe Mladenov janë anëtarë të Bordit Ekzekutiv të Gazës të Bordit të Paqes. Të dy panelet pritet të luajnë një rol në mbikëqyrjen e menaxhimit të Gazës pas luftës.

Trump do të marrë pjesë në një foto në grup përpara se të largohet në orën 11:00, ndërsa eventi do të vazhdojë për një orë tjetër, sipas një orari të dërguar pjesëmarrësve.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo