Eksportet turke të automjeteve shënojnë performancën më të mirë të janarit me mbi 3 miliardë dollarë

Eksportet e industrisë automobilistike të Turqisë kapërcyen 3 miliardë dollarë (rreth 2.59 miliardë euro) muajin e kaluar.

Me këtë edhe është regjistruar performanca më e lartë ndonjëherë për muajin janar, sipas një raporti të publikuar të mërkurën, bazuar në të dhënat e Asamblesë së Eksportuesve të Turqisë (TIM), shkruajnë mediat turke.

Sipas tyre, sektori automobilistik turk e nisi fuqishëm vitin 2026, me eksporte që arritën në 3.06 miliardë dollarë (afërsisht 2.59 miliardë euro) gjatë muajit janar.

Dhe kjo rritje i është atribuar rimëkëmbjes graduale të kërkesës globale dhe shtimit të porosive nga Evropa.

Të dhënat tregojnë se industria automobilistike turke eksportoi mallra në vlerë 41.5 miliardë dollarë (rreth 35.1 miliardë euro) gjatë vitit 2025, duke mbetur edhe një herë grupi kryesor eksportues i vendit.

Në janar 2026, eksportet e automjeteve u rritën me 2.2 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa pesha e sektorit në totalin e eksporteve arriti në 17.4 për qind.

Gjermania kryesoi listën e vendeve me vëllimin më të lartë të eksporteve të industrisë automobilistike turke në janar 2026, me 490 milionë dollarë (rreth 414.5 milionë euro), e ndjekur nga Franca me 311 milionë dollarë (263 milionë euro), Spanja me 291.7 milionë dollarë (246.6 milionë euro), Mbretëria e Bashkuar me 283.3 milionë dollarë (239.6 milionë euro) dhe Italia me 267.9 milionë dollarë (226.7 milionë euro).

Rritjen më të madhe të eksporteve ndër destinacionet e huaja e regjistroi Polonia, me një shtesë prej 58.7 milionë dollarësh (49.7 milionë euro), e ndjekur nga Italia me 36.5 milionë dollarë (30.9 milionë euro), Spanja me 36.2 milionë dollarë (30.6 milionë euro), Gjermania me 28.2 milionë dollarë (23.9 milionë euro) dhe Austria me 19.3 milionë dollarë (16.3 milionë euro).