Çështja për pagën minimale është e ndijshme dhe pikërisht për këtë nuk merren vendime nën presione ose zgjidhje afatshkurte politike, deklaroi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.
Ai sonte në TV Telma potencoi se priten të dhënat e Entit shtetëror për statistikë (ESHS) dhe se në mars do të ketë barazim ligjor të pagave prej 1500 deri 2000 denarë.
Durmishi informoi se Qeveria nuk i ka pranuar vërejtjet nga institucionet ndërkombëtare për rritjen e tatimeve dhe të kufirit të moshës për pensionim, me qëllim, siç tha, “t’u ndihmohet qytetarëve, edhe pse kanë trashëguar buxhet të zbrazët”.
Sipas Durmishit, sindikatat paraprakisht thonin se me zgjidhjen aktuale ligjore, “përgjithmonë do të mbrohen të drejtat e punëtorëve”, por se tani “për çdo ditë po manipulohet me opinionin”.
Ai përsëriti se Qeveria do të mbështesë marrëveshje midis punëdhënësve dhe sindikatave për paga më të larta, ndërsa lidhur me kërkesën që shteti të mbulojë kontributet në rast të rritjes së pagave, theksoi se sektori privat ka marrë mbështetje në periudhën e kaluar.
“Ne kemi bërë shumë për sektorin privat deri tani dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, përmes Ligjit për mbështetje financiare për investimet, Planit operativ, mbështetjes për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, konkurrencës, linjës së kredisë prej 250 milionë eurosh…Kur të merret e gjithë kjo mbështetje, ata mund të punësojnë më shumë njerëz dhe të paguajnë paga më të larta për punonjësit. Ekziston një kornizë ligjore për pagën minimale, nëse sindikatat dhe punëdhënësit dakordohen, ne do ta mbështesim atë. Por jo këtë pjesë, pasi kemi ofruar mbështetje që nga fillimi i qeverisjes”, tha Durmishi.
Ai theksoi se me punonjësit e sektorit publik është rrumbullaksuar dialogu, duke përkujtuar se dje Qeveria arriti marrëveshje me disa nga sindikatat përfaqësuese për një rritje të pagave të 11.000 administratorëve, pasi paraprakisht kjo ndodhi me pagat në shëndetësi, arsim, mbrojtje dhe polici.
“Kjo tregon se dialogu mund të funksionojë kur ka gatishmëri nga të dyja palët”, tha Durmishi.
Durmishi paralajmëroi se në rendin e ditës së seancës së ardhshme të Këshillit ekonomik-social do të përfshihet metodologjia e re e shpallur për llogaritjen e shportës së konsumatorit, pas çka llogaritja do të kryhet sipas saj. Metodologjia është përgatitur dhe është dorëzuar për shqyrtim te anëtarët e KES-së.
“Ne nuk jemi kundër shportës minimale sindikale, por aty llogariten pemët dhe perimet që nuk konsumohen në një periudhë të caktuar kohore, si dhe qiraja, ndërsa sipas regjistrimit të Entit shtetëror të statistikave, 90 për qind të qytetarëve jetojnë në shtëpitë e tyre. Gjithashtu, çmimet merren nga dy markete, jo nga 10, siç bëjmë ne. Do të llogaritet në mënyrë reale dhe do të jetë e qasshme shporta e konsumatorit për tërë opinionin”, tha ministri Durmishi.