Ylli brazilian dhe i Santosit, Neymar, ka deklaruar se po mendon të dalë në pension kur kontrata e tij me skuadrën braziliane të skadojë në fund të vitit.
Neymar po punon shumë për të fituar një vend në skuadrën e Carlo Ancelottit për Kupën e Botës 2026 në qershor, gjë që mund të jetë edhe gara e fundit e madhe që ai merr pjesë.
Kjo për faktin se vetë sulmuesi brazilian ka njoftuar planet për t’u pensionuar së shpejti nga futbolli aktiv.
“Nuk e di çfarë më pret e ardhmja. Nuk e di çfarë do të sjellë viti i ardhshëm. Është e mundur që në dhjetor të dua të dal në pension”, ka thënë fillimisht Neymar.
“Po e marr ditë pas dite tani. Ky vit është shumë i rëndësishëm, jo vetëm për Santosin, por edhe për ekipin kombëtar brazilian, sepse është viti i Kupës së Botës. Edhe për mua, është një sfidë e madhe. Po e marr ditë pas dite”, përfundoi 34-vjeçari.
Ndryshe, Neymar ka luajtur 128 ndeshje me kombëtaren e Brazilit, duke shënuar edhe 79 gola, teksa ka bërë karrierë të madhe në Evropë me klube si Barcelona dhe Paris Saint-Germain para transferimit te Al Hilal në Arabinë Saudite. /Telegrafi/