Morgan McSweeney ka dhënë dorëheqjen si shef i stafit të kryeministrit britanik, Keir Starmer.
Në arsyetimin e dorëheqjes, ai ka thënë se vendimi i Starmerit për të emëruar Peter Mandelson ambasador në SHBA në vitin 2024 ishte gabim.
“Pas reflektimit të kujdesshëm, kam vendosur të jap dorëheqjen nga qeveria. Vendimi për të emëruar Peter Mandelson ishte i gabuar. Ai ka dëmtuar partinë tonë, vendin tonë dhe besimin në vetë politikën”, thuhet në deklaratë.
Mandelson është përmendur për lidhje me Jeffrey Epstein, në dosjet e publikuara nga Departmenti amerikan i Drejtësisë.
Që atëherë është shtuar presioni ndaj qeverisë britanike dhe vetë kryeministrit Keir Starmer, i cili e kishte emëruar atë në këtë pozitë.
Vetë Starmeri ditë më parë u ka kërkuar falje viktimave të Epsteinit teksa ka deklaruar se kishte gabuar që i kishte besuar Mandelsonit.