Ditë më parë policia e Gostivarit gjeti lëndë narkotike, mbyllet nga Drejtoria e të Hyrave Publike një objekt afarist në Gostivar
Një lokal në qytet është mbyllur nga Drejtoria e të Hyrave Publike pas konstatimit të parregullsive gjatë një kontrolli inspektues, ndërsa lëndët narkotike që lidhen me rastin ishin sekuestruar disa ditë më parë nga Policia e Maqedonisë së Veriut gjegjësisht DPB-Gostivar
Sipas informacioneve zyrtare, policia kishte realizuar një aksion ditë më parë, gjatë të cilit u gjetën dhe u konfiskuan sasi të dyshuara të substancave narkotike që dyshohet se lidhen me aktivitetin e lokalit. Rasti më pas është proceduar tek institucionet përkatëse për veprime të mëtejshme.
Në ndërkohë, gjatë kontrollit të fundit nga Drejtoria e të Hyrave Publike u evidentuan edhe shkelje të tjera, përfshirë praninë e të rinjve nën moshën e lejuar në ambientet e lokalit pas orës 24, si dhe parregullsi në funksionimin e biznesit.
Si masë administrative, është vendosur mbyllja e përkohshme e lokalit, ndërsa ndaj pronarit pritet të ndërmerren procedura ligjore në përputhje me shkeljet e konstatuara.
Autoritetet kanë paralajmëruar se kontrollet në lokalet e natës do të vazhdojnë, me qëllim respektimin e ligjit dhe mbrojtjen e sigurisë publike.