Të gjithë deputetët u pajtuan që të mos rriten pagat e zyrtarëve. VMRO-DPMNE paraqiti propozim-ligj për ndryshimin e koeficientit për llogaritjen e pagave të deputetëve, si dhe të pagave dhe kompensimeve të tjera të personave të zgjedhur dhe të emëruar. Me këto ndryshime ligjore, pagat aktuale të zyrtarëve nuk do të ulen, por as nuk do të rriten për 10.000 deri në 13.000 denarë.
“Për deputetët dhe zyrtarët e pushtetin ekzekutiv ulim koeficientin, me çka drejtpërdrejt e zvogëlojmë barrën e shpenzimeve, për gjyqtarët dhe prokurorët publikë parashikojmë harmonizim të koeficientit, me qëllim që pagat e tyre të jenë në përputhje me mundësitë reale ekonomike të shtetit, ndërsa për kryetarët e komunave propozojmë shkallë të re të koeficienteve, varësisht nga numri i banorëve në komunat”, deklaroi Bojan Stojanovski, deputet i VMRO-DPMNE.
Sipas partisë “E Majta”, ky veprim i pushtetit ka për qëllim pengimin e rritjes së pagës minimale.
„Pajtohemi me këtë, por megjithatë mendoj se kjo është përpjekje e partisë në pushtet për të mos rritur pagën minimale”, tha Rexhep Ismail- E Majta.
Ndërkohë, Shoqata e Prokurorëve Publikë kërkoi nga deputetët që të mos ua ulin pagat. Thonë se sipas Ligjit për pagat e Prokurorëve Publikë, të ardhurat nuk mund të ulen me ligj ose me vendim të organit shtetëror, përveç në rast të përgjegjësisë disiplinore të konstatuar.
“Funksioni i prokurorit publik është jo-kompatibil me ushtrimin e çfarëdo funksioni apo veprimtarie tjetër. Për këtë arsye, paga është e vetmja e ardhur për prokurorët publikë dhe ajo lëviz nga minimumi më pak se 90.000 denarë deri te maksimumi 130.000 denarë. Me këto shuma, pagat e prokurorëve publikë janë absolutisht më të ulëtat në rajon”, thonë nga Shoqata e Prokurorëve Publikë.
Pagën më të lartë e marrin presidenti, kryetari i Kuvendit dhe kryeministri, edhe atë 215.084 denarë. Me 190.911 denarë pasojnë kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe Nënkryetari i Kuvendit. Ministrat, Guvernatori, Avokati i Popullit, si dhe sekretarët e Kuvendit dhe të Qeverisë marrin 176.654 denarë në muaj. Zëvendësministrat, Drejtorët, këshilltari i presidentit dhe zëvendësguvernatori marrin pagë mujore prej 162.398 denarë. Te kryetarët e komunave, pagat lëvizin nga 128.927 denarë në komunat deri në 10.000 banorë, deri në 162.398 denarë në komunat me mbi 50.000 banorë. Kryetari i Shkupit merr 176.654 denarë në muaj. /Alsat.mk