Menjëherë pas kapjes së kreut të komunës së Strugës nga ana e VMRO-së në zgjedhjet komunale të fundvitit që lamë pas, (falë ndihmës së pakursyer të renegatit Merko dhe mbështetësve të listës së tij) ku me një kryetar kukull të përzgjedhur nga despoti Micko si Mendiu, ka filluar të ndihej verit “ndryshimi” në administratën komunale, ku gjuha shqipe po shmanget qëllimisht nga përdorimi zyrtar nga administratorët e rinj të motivuar politikisht, duke vendosur supremacinë maqedone në ato komuna me shumicë shqiptare, në të cilat ata tashmë kanë në krye të tyren sejmenët e përbëtuar vredistë dhe jo vetëm.
Kështu, “ndryshimi që erdhi papritur” është një ogur i zi për gjuhën shqipe e cila me ardhjen e pushtetarëve të rinj komunal në marrëdhënie me publikun siç është paragjituar në ilustrimin e mëposhtëm.
Pikërisht, rasti flagrant i denigrimit të gjuhë shqipe ka ndodhur me ndërmarrjen komunale siç është kompania për Ujësjellës dhe Kanalizim, ku kjo ndërmarrje publike ia kthen përgjigje kërkesës së parashtruar këto ditë nga ana e këshilltares të këshillit komunal znj.Premtime Zylali-Delijaj, mbi problemin e ndotjes së ujit, duke iu përgjigjur vetëm në maqedonisht, me arsyetimin sepse kërkesa e saj na qënkësh shkruar ekskluzivisht në shqip dhe jo edhe në maqedonisht.
Kësisoj, ndryshimi i premtuar përmes megafonëve të VREDI-t, mes entuziazmat dhe zhurmave shurdhuese gjatë fushatave zgjedhore nuk vonoi shumë, ai erdhi por jo për së mbari, por së prapthi, duke injoruar dhe shmangur gjuhën shqipe nga komunikimi zyrtar në nivel komunal në një komunë me shumicë shqiptare siç është Struga.
Ky është pra ndryshimi që i premtoi struganëve VREDI dhe sejmeni i Mickos, Mendiu i “pavardur”, i cili veç shumë leverdive për qytetarët premtoi luftë pakompromisin me korrupsionin në komunën tonë, duke u zotuar për barazi dhe jo favorizime në baza etnike. Për një luftë të ashpër kundër baronëve të krimit dhe të mafies urbane, ku paradoksalisht kjo mafie kriminale e Baronit të Strugës e sollën në pushtet piunin e Mickos, përmes pazareve të ndyra politike.
Kësisoj, me ndryshimin e shumë përfolur si ofertë vredistësh për më shumë dinjitet dhe barazi për qytetarët, ajo pseudofertë nuk erdhi kurrë për shqiptarët, por i shërbeu një klani të vockël dhe favoreve të tyre në kreun komunal.
Frutat e atij “revolucioni” të ndryshimit nuk i shijuan qytetarët e Strugës, por klani i ri sllavo-shqiptar që ka kapur kreun e komunës si peng i pazareve të pista politike, duke e shmangur nga përdorimi zyrtar gjuhën shqipe në administratën komunale.
Dy muaj pas zgjedhjeve komunale, në vend të ndryshimit komitët e Mickos me sejmenët e tyren në krye të komunës, sollën sihariqin e madh për favorizimin e maqedonishtes, si gjuhë e supremacisë së shtetit dhe e pusht-shtetit, duke e shmangur përdorimin e gjuhës shqipe në komunikim zyrtar me publikun.
Ky është pusht-shteti që përmes “shfalerkave” shqiptare përdhosin dhe denigrojnë identitetin tonë kombëtar dhe gjuhësor në komunën e Strugës dhe jo vetëm, ashtu siç vepruan ata ndaj shqiptarëve për gjysmë shekulli përmes dhunës dhe persekutimit gjatë kohës së sistemit titist.
Ky është “peshqeshi” që morën struganët nga komitët dhe vredistët me udhëheqjen e re komunale!
Kështu që edhe këtë radhë u përsërit historia e gënjeshtrës dhe premtimeve pa mbulesë ndaj qytetarëve shqiptarë të Strugës nga pakorët e pushtetit, ku shqiptarët edhe pas asaj maskarade të ndryshimit që nuk u bë kurrë realitet, ata përsëri vazhdojnë ta hanë sapunin për djathë.