Delegacion qeveritar për vizitë pune në Paris, takime me përfaqësues të lartë të UNESCO-s

Delegacioni i Qeverisë në përbërje prej: zëvendëskryetarit të Qeverisë dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski, ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, ministrit të Kulturës dhe Turizmit, Zoran Ljutkov, ministrit të Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, kryetarit të Komunës së Ohrit, Kirill Pecakov, dhe kryetarit të Komunës së Strugës, Mendi Qyra, sot dhe nesër po qëndrojnë për vizitë pune dyditore në Paris.

Në kuadër të vizitës, delegacioni do të realizojë takime me Khaled El-Enany, drejtor i përgjithshëm i UNESCO-s, si dhe me përfaqësues të tjerë të lartë të UNESCO-s.

Në takime do të potencohen angazhimet e forta të Qeverisë për ruajtjen e statusit të trashëgimisë natyrore dhe kulturore të Rajonit të Ohrit. Gjithashtu, do të theksohet se shteti po vendos një sistem mbrojtjeje që garanton ruajtjen e integritetit dhe autenticitetit të rajonit të Ohrit si një vlerë e jashtëzakonshme universale.
Delegacioni do t’u referohet edhe masave që po ndërmerr Qeveria, si dhe faktit që përmes institucioneve kompetente po bëhen përpjekje maksimale për zbatimin e rekomandimeve nga misionet reaktive (2020 dhe 2024) dhe Planit Strategjik për Rehabilitim.

Në kuadër të vizitës, për sot është planifikuar takim me Ernesto Otone, ndihmës i drejtorit të përgjithshëm të UNESCO-s i angazhuar për kulturë, pastaj me Kongker Mohammad Talha, kryetar i sesionit të 43-të të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s, ndërsa nesër delegacioni do të takohet me Naser bin Hamad Al Hinzab, kryetar i Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s.