Degradohet në punë Arlinda Imeri Shllaku në SHA “Posta e Maqedonisë” për shkak të bindjeve politike





Arlinda Imeri Shllaku, anëtare e Kryesisë së Aleancës për Shqiptarët, ka bërë publik rastin e saj të degradimit në vendin e punës në SHA “Posta e Maqedonisë”, duke e cilësuar vendimin si të padrejtë dhe pa arsyetim ligjor.

Sipas reagimit të saj, më 17 shkurt 2026 i është dorëzuar një vendim nga Drejtoria e ndërmarrjes, përmes të cilit degradohet për dy pozita më poshtë dhe i ulet paga për disa mijë denarë. Ajo thekson se vendimi është marrë pa paralajmërim paraprak dhe pa sqarime të qarta ligjore.

Shllaku bën të ditur se ka kërkuar takim me drejtorin e ndërmarrjes për të marrë sqarime, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje. Po ashtu, ajo ka tentuar të kontaktojë edhe kryetarin e Alternativës, Bekim Sali, nga radhët e së cilës vjen drejtori, por sipas saj ka hasur në heshtje.

Në reagimin publik, ajo u bën thirrje për reflektim funksionarëve të koalicionit VLEN, veçanërisht grave në pozita vendimmarrëse, duke kërkuar që të ndërhyjnë për të parandaluar atë që e quan padrejtësi.

“Unë nuk kërkoj privilegj, kërkoj drejtësi”, thekson Shllaku, duke shtuar se çështjen do ta ndjekë përmes rrugëve ligjore deri në fund për të mbrojtur dinjitetin e saj profesional dhe njerëzor.

Ajo shpreh shpresën që rasti i saj të trajtohet me përgjegjësi dhe në përputhje me ligjin.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo