Dafi Muharemi kërkon llogaridhënie në Kuvendin Qendror të Lëvizjes Besa: Askush nuk është mbi partinë
Anëtari i Kuvendit Qendror të Lëvizjes Besa, Dafi Muharemi, përmes një shkrese zyrtare ka shprehur qëndrimin e tij lidhur me, siç e quan ai, nevojën për respektim të rregullave statutare dhe llogaridhënie brenda strukturave të partisë.
Muharemi, i cili për shkak të pamundësisë nuk do të jetë fizikisht i pranishëm në mbledhjen e sontme, thekson se Kuvendi Qendror është organi më i lartë vendimmarrës i partisë dhe nuk mund të trajtohet si formalitet. Sipas tij, çdo funksionar partiak, pavarësisht nivelit, duhet t’i japë llogari organeve të partisë dhe t’u nënshtrohet vendimeve të tyre.
Ai e konsideron të papranueshme që një nënkryetar apo funksionar i lartë të mos japë llogari para organit më të lartë të partisë, duke paralajmëruar se një qasje e tillë krijon precedent të rrezikshëm dhe dëmton rendin e brendshëm organizativ, respektin ndaj Statutit dhe besimin e anëtarësisë.
Muharemi ka ngritur shqetësim edhe për raportet brenda koalicionit qeverisës, duke theksuar se çdo parti politike ka programin dhe identitetin e vet, si dhe mban përgjegjësi për përfaqësuesit e saj institucionalë. Sipas tij, nuk është e arsyeshme që një ministër i emëruar nga një parti të mos japë llogari para partisë së vet, ndërkohë që në mbrojtje të tij del kryetari i një partie tjetër, i cili njëkohësisht mban edhe postin e Kryeministrit.
“Kjo nuk është mënyra si respektohet partneriteti në qeverisje dhe cenon respektin ndaj partisë dhe aktivistëve të saj”, thekson Muharemi në reagimin e tij.
Ai i ka bërë thirrje Kuvendit Qendror dhe Kryesisë që, në përputhje me Statutin e Lëvizjes Besa, të shqyrtojnë seriozisht të gjitha mundësitë institucionale dhe të marrin vendime për rastet kur funksionarë të caktuar nuk respektojnë rregullat e brendshme dhe detyrimet statutare.
Në fund, Muharemi nënvizon se Kryeministri mban përgjegjësi për qeverisjen e vendit, ndërsa çdo subjekt politik vendos vetë për programin, parimet dhe përgjegjësinë e funksionarëve të tij, duke përmbyllur me mesazhin: “Më mirë një humbje e dinjitetshme, sesa një fitore pa dinjitet.”
Dafi Muharemi aktualisht ndodhet në Cyrih, Zvicër.