Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq (60), është hospitalizuar urgjentisht gjatë ditës së sotme për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore. Sipas informacioneve të para, jeta e tij ndodhet në rrezik.
Siç mëson media serbe “Kurir”, Daçiq vuan nga një pneumoni (ndezje e mushkërive) e rëndë dhe aktualisht është i lidhur me respirator.
Kronologjia e ngjarjes:
Sipas burimeve brenda spitalit, Daçiq kishte pasur ethe prej ditësh, por rrethi i tij kishte menduar se bëhej fjalë për një virus të zakonshëm që kishte prekur shumë njerëz përreth. Megjithatë, gjendja e tij u përkeqësua në mënyrë drastike brenda pak ditësh.
Situata u bë kritike gjatë komemoracionit për Vladislav Jovanoviqin. Raportohet se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vënë re vështirësitë e Daçiqit në frymëmarrje dhe ka insistuar që ai të dërgohet menjëherë në spital.
“Kur Vuçiq e pa Daçiqin dhe shkëmbeu disa fjalë me të, menjëherë i tha se nuk mund të qëndronte në komemoracion dhe se duhej të shkonte urgjentisht në spital. Ivica fillimisht hezitoi, por pastaj e dëgjoi,” thotë burimi.