Conte humb toruan pas eliminimit nga Kupa e Italisë, ‘kërcënon’ së do të përgjigjet në stilin e Mourinhos

Antonio Conte ka njoftuar se do të rendisë ekipet që kanë fituar “zero tituj” në konferencat e ardhshme për shtyp, duke aluduar qartë në deklaratën e famshme të Jose Mourinhos.

Trajneri italian e bëri këtë pasi Napoli i tij u eliminua nga çerekfinalja e Kupës së Italisë nga Como të martën në mbrëmje, duke humbur 7-6 në penallti. Kampionët në fuqi të Serie A e kanë fituar tashmë Superkupën këtë sezon, por tani janë jashtë Kupës dhe Ligës së Kampionëve.

Napoli aktualisht është i treti në Serie A, nëntë pikë pas liderit Inter. Pas eliminimit të mbrëmshëm nga Kupa, Conte shprehu krenari për rezultatet që ka arritur në 18 muajt e fundit, duke iu referuar indirekt Mourinhos.

Gjatë qëndrimit të Mourinhos te Interi, portugezi shpesh i provokonte rivalët e tij dhe deklarata e tij për ekipet që do të fitojnë “zero tituj” në sezon u mbajt mend.

“Ka shumë gjëra pozitive. Është e vërtetë, jemi jashtë Kupës dhe Ligës së Kampionëve. Serie A mbetet dhe ne duhet të japim gjithçka nga vetja”, ka thënë fillimisht Conte në një konferencë për shtyp pas ndeshjes.

“Dua t’i falënderoj tifozët sepse ata i vlerësojnë dhe i kuptojnë përpjekjet që po bën kjo skuadër, të gjithë së bashku. Në dy vjet, Scudetto dhe Superkupa, këto nuk mund të harrohen”.

Ndërsa fliste, Conte bëri gjeste me dorën e djathtë për të treguar zero dhe me të majtën për të treguar dy.

“Pra, që nga tani e tutje, do ta filloj çdo konferencë për shtyp kështu dhe pastaj do të rendis ekipet që, siç thoshte një trajner, nuk kanë fituar asnjë titull, në rregull?” përfundoi italiani.

Strategu italian u ankua gjithashtu për vendimet e gjyqtarit pas ndeshjes dhe sugjeroi që skuadra e tij nuk mund të garonte për titullin e kampionatit për shkak të një numri të madh lëndimesh. Shumë nga yjet e Napolit munguan në fushë për muaj të tërë, gjë që kufizoi ndjeshëm mundësitë e rotacionit të lojtarëve. /Telegrafi/