CIVIL: Aktgjykimi kundër gazetarit Naser Selmani sinjalizon praktikë të rrezikshme dhe kërcënim për lirinë e shprehjes
Qendra për Liri shpreh shqetësim serioz lidhur me vendimin e Gjykatës së Apelit në Shkup, e cila konfirmoi aktgjykimin kundër gazetarit dhe redaktorit Naser Selmani, i dënuar për shpifje dhe fyerje për shkak të një qëndrimi të shprehur në një debat publik lidhur me pavarësinë e mediave dhe presionet mbi politikat redaktuese. Padia është ngritur nga TV Kanal 5 dhe drejtori i saj, Ivan Mirçevski.
Aktgjykimi bazohet në deklaratat e Selmanit, në të cilat ai theksoi se mediat në vend ende janë nën ndikimin e partive politike dhe qeverisë, si dhe se drejtori i televizionit ushtron presion ndaj gazetarëve.
Ky vendim gjyqësor nuk është rast i izoluar. Ai tregon për një praktikë shqetësuese që po përsëritet gjithnjë e më shpesh, ku mendimi kritik dhe debati publik ekspozohen ndaj sanksionimit gjyqësor. Në vend që të mbrohet liria e shprehjes, krijohet një ambient që nxit vetëcensurë dhe frikë nga shprehja publike.
Veçanërisht shqetësues është fakti se deklaratat për të cilat është dhënë aktgjykimi përfaqësojnë mendim personal dhe gjykim vlerësues të shprehur në kontekst të një debati publik – forma të shprehjes që, sipas standardeve evropiane dhe praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, gëzojnë mbrojtje të shtuar.
CIVIL –i paralajmëron se këto procedura kanë karakteristika të padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP) – mekanizma që përdoren për presion, frikësim dhe heshtje të zërave kritikë. Efekti i tyre nuk është vetëm individual, por krijon një “efekt frikësues” më të gjerë ndaj pjesëmarrjes në debatin publik.
Këshilli i Evropës në vitin 2024 miratoi Rekomandimin CM/Rec(2024)2, duke u bërë thirrje të qartë shteteve anëtare që të sigurojnë mbrojtje nga këto abuzime dhe të garantojnë një mjedis të sigurt dhe të favorshëm për lirinë e shprehjes. Ky aktgjykim hap pyetje serioze në lidhje me përputhshmërinë me këto standarde.
Rasti zhvillohet edhe në një kontekst më të gjerë të debatit publik për ndikimin politik në sektorin mediatik, përfshirë shqetësimet e shprehura publikisht për lidhje të afërta mes aktorëve të caktuar mediatikë dhe partive politike, përfshirë partinë në pushtet VMRO-DPMNE.
Fakti që deklaratat janë dhënë në studion e platformës mediatike të CIVIL-it e thekson edhe më tej seriozitetin e rastit dhe nevojën për një reagim parimor.
CIVIL- Qendra për Liri shpreh mbështetje të plotë për Naser Selmanin dhe u bën thirrje shoqatave të gazetarëve, organizatave të shoqërisë civile, institucioneve dhe komunitetit ndërkombëtar që ta ndjekin me kujdes këtë dhe raste të ngjashme, të reagojnë në mënyrë të duhur dhe të ofrojnë të gjithë mbështetjen brenda mundësive të tyre, në përputhje me ligjin dhe standardet demokratike.
Në një shoqëri demokratike, mendimi kritik nuk duhet të jetë arsye për sanksion. Çdo përpjekje për ta normalizuar një praktikë të tillë përbën një hap prapa për demokracinë dhe sundimin e ligjit.
CIVIL-i do të vazhdojë të ndjekë me kujdes të gjitha rastet që tregojnë për presione ndaj lirisë së shprehjes dhe do të reagojë publikisht, me përgjegjësi dhe në mënyrë parimore.
Të sanksionosh mendimin do të thotë të kufizosh demokracinë.
CIVIL – Qendra për Liri