Brenda VLEN-it po grumbullohet mllef dhe zhgënjim: njerëz që po luftojnë më shumë me veten sesa me kundërshtarët
Urim Saliu Tetovasot
Nuk ka asnjë dyshim se brenda VLEN ka njerëz të mirë, para se të jenë politikanë. Njerëz që e kuptojnë saktë se shumë gjëra në këtë qeverisje thjesht nuk përputhen më as në frymë, as në vizion, e as në mënyrën se si trajtohen partnerët.
Brenda tyre po grumbullohet çdo ditë një lloj mllefi i heshtur. Jo mllef ndaj politikës si ide, por ndaj detyrimit për të bashkëjetuar në një realitet qeverisës ku shpesh ndihen të nënçmuar, të anashkaluar dhe të shtyrë në margjinë. Ata vazhdojnë të bashkëpunojnë, jo sepse janë të bindur se gjithçka po shkon mirë, por sepse ende shpresojnë se mund t’ia dalin, se mund ta mposhtin këtë ndjenjë të përhershme inferioriteti që u imponohet nga një politikë e ashpër e palës tjetër me të cilën ndajnë pushtetin.
Ka njerëz brenda VLEN-it që sot nuk po bëjnë më luftë për poste. Ata po bëjnë luftë me durimin e tyre.
Dhe ky durim po shkon drejt fundit.
Ka prej tyre që janë realisht të gatshëm të heqin dorë nesër nga politika jo për shkakun sepse janë lodhur nga shërbimi publik, por sepse e shohin qartë se në këtë konfigurim qeverisës asnjë parti shqiptare nuk mund ta mbajë peshën e përgjegjësisë përballë një mekanizmi të ndërtuar mirë, të sofistikuar dhe me një strategji të qartë maqedonase të dominimit politik.
Këta njerëz sot nuk po bëjnë betejë mediatike. Ata po e bëjnë betejën më të vështirë, pra atë betejën e brendshme mes arsyes dhe zhgënjimit.
Por kur njerëzit detyrohen për një kohë të gjatë të gëlltisin nënçmimin, kur zëri i tyre relativizohet dhe roli i tyre zvogëlohet sistematikisht, atëherë shpërthimi nuk vjen si akt rebelimi por si akt mbijetese politike.
Dhe ky shpërthim, brenda VLEN-it, nuk është më çështje nëse do të ndodhë.
Është vetëm çështje kohe.