Deputeti i koalicionit VLEN, Bekim Qoku, ka reaguar pas fjalëve ofenduese të cilat presidenti serb Aleksandar Vuçiq i ka drejtuar ndaj Radmilla Shekerinskës, e cila është zv/sekretare e NATO-s.
“Si deputet i parlamentit të Maqedonisë së Veriut, që është vend anëtar i NATO-s, më duhet t’i dënoj dy herë fjalët ofenduese që presidenti serb Vuçiq i drejtoi ndaj znj. Radmilla Shekerinska, e cila është bashkështetase e jona në MV e njëkohësisht zv.sekretare e NATO-s. Sulmet personale, retorika denigruese dhe insinuatat me ngarkesë shoviniste nuk kanë vend në komunikimin politik të një presidenti shteti. Fjalët e Vuçiqit synojnë denigrimin njerëzor e gjinor, duke shpërfaqur një tendencë për prapakthim në aspektin qytetërimor e demokratik të rajonit tonë, sepse me siguri politikat që ai përfaqëson ëndërrojnë kthimin pas me dekada apo edhe me shekuj, në kohët kur brutalitetet e agresionet ndaj fqinjëve e ndaj të ndryshmëve, mund të bëheshin pa u ndëshkuar. Fatkeqësisht për shovinistët, e fatmirësisht për shumicën e madhe të ballkanasve, koha nuk kthehet pas dhe vlerat njerëzore e civilizuese nuk do t’ia hapin më derën brutaliteteve e agresioneve.
Në një kohë kur siguria në Evropë nuk merret më si e mirëqenë, është normale madje e domosdoshme që shtetet fqinjë të forcojnë bashkëpunimin në mbrojtje. Pra, deklarata e bashkëpunimit mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë nuk është pakt kundër askujt, por investim për më shumë koordinim, në frymën dhe standardet euroatlantike.
Aleancat që ndërtohen mbi këto vlera nuk janë kërcënim për askënd që s’ka synime destabilizuese. Përkundrazi, janë garanci për qytetarët e gjithë rajonit. NATO mbetet faktori më i madh i paqes në rajon. Falë saj, Kosova sot është e sigurt dhe rajoni nuk kthehet më në vitet e ’90-ta. Andaj, kush e quan këtë bashkëpunim provokim, në fakt po mundohet të mbulojë hijet e veta. Historianët, e jo vetëm ata, por edhe shumë nga ne që kemi jetuar këtu gjatë viteve ‘90, e dimë fort mirë se cilat forca e cilat besime politike kanë qenë shkaktare e nxitëse të dhunës, e cili vend i promovoi e i mbrojti ato.
Serbia e Vuçiqit, sikurse edhe ajo e Millosheviqit dikur, që e nënshkroi kapitullimin në Kumanovë në 1999, nuk e do Maqedoninë e Veriut me NATO. Mirëpo, ajo nuk pyetet për këtë çështje nga askush më.
Është krejtësisht e palogjikshme të dëgjosh leksione nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i cili ende mban nën mbrojtje politike njerëz si Millan Radojçiq, autor i sulmit terrorist në Banjskë, e kërcënuesi kryesor i komuniteteve shqiptare apo serbe dhe etnive të tjera që jetojnë në Kosovë. Ai që strehon kriminelë të tillë, nuk ka as autoritet moral, as kredibilitet politik të flasë për stabilitet, përderisa vazhdon me retorikë nxitëse.
Rajoni ka nevojë për lidership demokratik e humanist, që ndërton ura, paqe e zhvillim, e jo që hap plagë. Ka nevojë për përgjegjësi historike, respekt institucional dhe dialog të ndershëm. Andaj, gjuha e urrejtjes, relativizimi i krimeve dhe glorifikimi i dhunës nuk mund dhe nuk duhet të lejojmë të normalizohen”, ka shkruar Bekim Qoku.