BDI: Të ndalet politizimi i rastit të Artan Grubit, të respektohet prezumimi i pafajësisë

Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh indinjatë të thellë për mënyrën
se si një numër partish politike kanë politizuar rastin e Artan Grubit
përmes deklaratave dhe paraqitjeve të tyre publike. Pavarësisht
dallimeve politike, është e papranueshme që proceset juridike të
zhvendosen nga korniza institucionale dhe ligjore e garantuar me
Kushtetutë dhe të shndërrohen në instrument të debatit partiak.

Dy ditët e fundit kemi parë se si parti politike, funksionarë të lartë
dhe aktivistë të tyre kanë krijuar një klimë histerie dhe presioni
publik, duke shpallur qëndrime që nënkuptojnë fajësi të parapërcaktuar.
Me këtë qasje ata marrin rolin e prokurorit dhe të gjyqtarit, flasin për
masa dhe pasoja, madje edhe ushtrojnë presion ndaj përfaqësuesve të
gjyqësorit dhe prokurorisë, pa asnjë respektim të parimit themelor të
prezumimit të pafajësisë. Fakti që deklarata të tilla vijnë edhe nga
parti që janë pjesë e pushtetit ngre shqetësim serioz për ndërhyrje të
mundshme të pushtetit ekzekutiv në proceset gjyqësore.

Riafirmojmë qëndrimin tonë se çdo ish-apo funksionar aktual për të cilin
ekzistojnë dyshime gjatë ushtrimit të detyrës duhet të përballet me
institucionet dhe procedurat përkatëse në vend. Në këtë kuptim, e
konsiderojmë të drejtë vendimin e Artan Grubit për t’u paraqitur para
organeve të drejtësisë dhe për t’i paraqitur argumentet e tij në kuadër
të procedurës institucionale. Megjithatë, kjo ka kuptim vetëm nëse
shteti garanton një proces të drejtë, të paanshëm dhe transparent, të
liruar nga ndikimet partiake dhe presionet politike.

U bëjmë thirrje gjykatave, prokurorisë dhe të gjitha organeve kompetente
që të veprojnë vetëm mbi bazën e ligjit dhe provave, duke mos lejuar që
klima politike të ndikojë në punën e tyre. Pavarësia e sistemit gjyqësor
është shtyllë e sundimit të ligjit dhe detyrim kushtetues, e jo çështje
e interpretimeve politike.

Presim që procesi të zhvillohet me respektim të plotë të prezumimit të
pafajësisë, të drejtave procedurale dhe dinjitetit të çdo personi të
përfshirë.

Bashkimi Demokratik për Integrim do ta ndjekë me vëmendje të gjithë
procedurën në çdo fazë të saj dhe do të reagojë ndaj çdo forme
selektiviteti, standardi të dyfishtë apo instrumentalizimi politik të
drejtësisë.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo