Ministri i Drejtësisë, z. Fillkov, me deklarimet dhe veprimet e tij të
fundit, po shkel hapur Kushtetutën e vendit dhe Ligjin për përdorimin e
gjuhëve, duke pretenduar se provimo i jurisprudencës nuk do të mbahet në
gjuhën shqipe, por vetëm në gjuhën maqedonase. Sipas tij, kjo çështje
është e mbyllur, s’ka provim në gjuhën shqipe. Ky qëndrim përbën një
skandal të paprecedentë dhe cenon drejtpërdrejt rendin kushtetues të
shtetit.
Kushtetuta dhe Ligji për përdorimin e gjuhëve përcaktojnë qartë dhe në
mënyrë shprehimore se gjuha shqipe është kategori kushtetuese dhe
ligjore, e cila duhet të respektohet në të gjitha procedurat dhe
aktivitetet institucionale, përfshirë edhe ato që ndërlidhen me
jurisprudencën. Çdo shmangie nga ky obligim është shkelje e
drejtpërdrejtë e normave pozitive në fuqi.
Kur një ministër i Qeverisë lejon vetes të anashkalojë me vetëdije një
të drejtë të garantuar me Kushtetutë, ai jo vetëm që cenon barazinë
gjuhësore, por dërgon një mesazh të rrezikshëm për institucionet tjera,
se ligjet mund të injorohen sipas vullnetit politik. Kjo krijon
precedent të papranueshëm dhe inkurajon shkelje të vazhdueshme të rendit
juridik.
BDI kërkon përgjegjësi politike për këto veprime dhe do të përdorë të
gjitha mekanizmat demokratikë për ta mbrojtur gjuhën shqipe si kategori
të padiskutueshme kushtetuese dhe ligjore. Respektimi i Kushtetutës nuk
është çështje vullneti personal, por detyrim themelor për çdo bartës të
funksionit publik.