BDI-Dega Strugë: 100 ditë zhgënjim, Struga pa ujë dhe pa projekte të reja

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Dega në Strugë, ka reaguar ndaj raportit 100-ditor të kryetarit të Komunës, duke vlerësuar se periudha e parë e mandatit nuk ka sjellë vizion të ri, projekte të reja apo zgjidhje konkrete për problemet e qytetarëve. Në reagimin e publikuar, BDI thekson se 100 ditët e para janë karakterizuar nga mungesë drejtimi strategjik, tensione institucionale dhe vendimmarrje të paqëndrueshme. Sipas tyre, situata gjatë festave të 28 Nëntorit, kur kryetari u tërhoq pas vërejtjeve të kryeministrit Hristijan Mickoski, ka lënë “shije të hidhur” dhe ka dëshmuar, siç thuhet, vendosjen e interesave politike mbi interesin e qytetarëve të Strugës.

BDI përmend edhe procesin e zgjedhjes së kryetarit të Këshillit Komunal, duke pretenduar se opinioni publik ka qenë dëshmitar i presioneve dhe përpjekjeve për kontroll institucional.

Sa i përket projekteve të prezantuara në raport, nga BDI theksojnë se shumica prej tyre janë iniciuar dhe siguruar nga administrata e kaluar, duke e konsideruar të papranueshme që puna e mëparshme të paraqitet si arritje e re. Partia opozitare në Strugë ngre shqetësim edhe për furnizimin me ujë të pijshëm, duke rikujtuar se qyteti ka mbetur pa ujë për rreth 20 ditë, situatë që e cilëson si alarmante dhe të paprecedentë. Sipas tyre, deri më tani nuk është ofruar një plan i qartë afatgjatë për zgjidhjen e problemit. Në reagim përmenden edhe largimet nga administrata komunale, të cilat kryetari i kishte prezantuar si “pastrim institucional”. BDI thekson se të gjithë punonjësit e larguar janë rikthyer në vendet e tyre të punës me vendim të Komisionit të Shkallës së Dytë pranë Agjencisë për Administratë, duke e interpretuar këtë si dëshmi të vendimeve të pabazuara dhe në kundërshtim me ligjin.

BDI kërkon gjithashtu transparencë lidhur me deklaratat e mëhershme të kryetarit për persona që, sipas tij, kanë marrë paga ndërkohë që kanë qenë jashtë shtetit, duke kërkuar publikimin e emrave dhe të dhënave përkatëse.

Në komunikatë përmenden edhe pretendime për angazhime me kontrata në vepër në ndërmarrjet komunale, përfshirë ish të punësuar në ndërmarrje private të kryetarit, si dhe elemente që, sipas BDI-së, ngrenë dyshime për nepotizëm. Partia paralajmëron publikimin e dokumentacionit për secilin rast në ditët në vijim. Po ashtu, BDI akuzon për emërime dhe shkarkime të paligjshme të drejtorëve të shkollave, duke iu referuar konstatimeve të Inspektoratit të Arsimit, dhe paralajmëron publikimin e detajeve për secilën shkollë.

Sa i përket buxhetit të vitit 2026, BDI e cilëson atë si jo zhvillimor dhe pa projeksione konkrete për zgjidhjen e problemeve madhore të qytetit.

Në fund të reagimit, BDI-Dega Strugë paralajmëron se do të publikojë marrëveshjet dhe dokumentacionin lidhur me investimet e realizuara dhe ato në proces, me qëllim, siç thuhet, informimin e drejtë të qytetarëve. “Struga meriton transparencë të plotë, qeverisje me përgjegjësi dhe lidership me vizion”, thuhet në përfundim të reagimit.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo