Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi në Kuvendin e Shqipërisë se vendi duhet ta mbrojë luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai e quajti të papranueshme përpjekjen e prokurorëve të Gjykatës Speciale në Hagë për të quajtur ushtrinë çlirimtare të Kosovës një ndërmarrje kriminale, transmeton Klankosova.tv.
“Është e papranueshme është e se si mund t’i vishet një lufte çlirimtare kjo akuzë e cila as nuk bazohet në prova, dhe më e rëndë se kaq është se si mund të arrihet në përfundimin që viktima të jetë më fajtore se vrasësi se përdhunuesi dhe si ai që sot e kësaj dite mban përgjegjësi për 1600 trupa ,motra e vëllezër shqiptarë të Kosovës të cilët në atë gjuhën e poshtër burokratike quhen të zhdukur, të vdekur por të pakallur. Dhe në këtë këndvështrim mendoj që sa herë na jepet mundësia të flasim me të huaj, të flasim me partnerë ndërkombëtarë, na takon si përgjegjësi morale, politike kombëtare ta ngremë çështjen e pafajësisë së katër udhëheqësve të UÇK-së, presidentit Thaçi, kryetarëve të Kuvendit Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, ministrit të Brendshëm Rexhep Selimi, të cilët kanë pasur nderin e madh jo vetëm të luftojnë për lirinë për çlirimin e Kosovës, por kanë pasur dhe nderin e madh të kontribuojnë në krijimin e shtetit të Kosovës. Në momentin historik të shpalljes së Kosovës, e këtu dua t’ju kujtoj disa prej jush që në 17 shkurt kemi qenë këtu në këtë sallë të mbledhur, ka qenë një ditë në mos gaboj ditë e diel, po jemi mbledhur të gjithë në këtë sallë, pikërisht për ta ndjekur nga Shqipëria, nga Parlamenti i Shqipërisë atë moment historik kur presidenti Thaçi mbante fjalën e shpalljes së pavarësisë”, tha ai.
Deputeti shtoi se turpi i takon prokurorëve, të cilët sipas tij, sot themeluesit e shtetit të Kosovës i konsiderojnë anëtarë të një ndërmarrjeje kriminale.
“Sot ngrihet një akuzë kundrejt udhëheqësve dhe turpi i takon prokurorëve, të cilët sot themeluesit e shtetit të Kosovës i konsiderojnë anëtarë të një ndërmarrjeje kriminale. Kjo është një përgjegjësi që na takon të gjithëve dhe nëse nuk do të bëjmë dot gjithçka që duhet për ta ndaluar këtë paturpësi, historia do na bëjë edhe ne fajtorë që nuk arritëm në momentin që shqiptarët na kishin zgjedhur të ishim përfaqësues të tyre të mbrojmë historinë e ndritur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Faleminderit”.