Azizi: Qeveria solli vendim, kontrolle të jashtëzakonshme ndaj të gjitha kompanive për prodhimin e kanabisit mjekësor

Me qëllim parandalimin e prodhimit të paligjshëm industrial të kanabisit mjekësor dhe lëshimin e tij në tregun e paligjshëm vendas dhe ndërkombëtar, Qeveria në seancën e sotme të 149-të shqyrtoi informacionin lidhur me licencat për prodhimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe miratoi përfundimet në vijim:

Qeveria i ngarkoi institucionet, në kuadër të kompetencave të tyre, që t’i ndërmarrin të gjitha masat dhe aktivitetet e përcaktuara me ligj dhe të kryejnë KONTROLLE të jashtëzakonshme ndaj të gjithë personave juridikë që kanë leje për kultivimin dhe prodhimin e kanabisit për qëllime mjekësore në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe brenda afatit prej 45 ditësh të dorëzojnë raport në Qeveri.

Gjithashtu, Qeveria do të emërojë anëtarët e Komisionit shtetëror ndërinstitucional për luftën kundër prodhimit të paligjshëm, tregtisë dhe keqpërdorimit të drogës. Kujtojmë se nga viti 2017, kur është formuar komisioni, ai nuk ka qenë aspak aktiv dhe nuk ka pasur rezultate. Për këtë qëllim, Qeveria në të ardhmen do të kërkojë raporte të rregullta.

Qeveria po ashtu mori vendim për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së parkimit në Kampusin Klinik “Nënë Tereza”, me të cilin mbyllen çështjet administrative që për dekada pengonin rregullimin e parkimit në Kampusin Klinik “Nënë Tereza”. Me këtë vendim krijohet bazë ligjore për nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qytetit të Shkupit.

Ministria e Shëndetësisë, brenda afatit prej tre muajsh, e ka përfunduar procesin e regjistrimit të parcelave në Kadastër dhe përgatitjen e elaborateve përkatëse, duke hapur kështu rrugën për ndërtimin e një parkingu modern dhe funksional, përfshirë edhe garazhe me kate, si dhe vendosjen e një zgjidhjeje softuerike për menaxhim efikas. Projekti do të sigurojë kushte më të mira për pacientët, punonjësit shëndetësorë dhe qytetarët që përdorin shërbimet e kampusit.

Njëkohësisht, dëshirojmë të informojmë opinionin publik se në seancën qeveritare u miratua projektligji për Këshillin e Prokurorëve Publikë, i cili së bashku me projektligjin për Prokurorinë Publike mori mendim pozitiv nga Komisioni i Venecias. Miratimi i këtyre dy ligjeve nga ana e Kuvendit nënkupton përmbushjen e një hapi të Agjendës Reformuese.

Qëllimi ynë si Qeveri është të mos ketë selektivitet në veprim dhe të ndërmarrim politika në interes të qytetarëve.

Vazhdojmë me realizimin e programit të Qeverisë, që është sigurimi i një jete më të mirë, më cilësore dhe më të sigurt për të gjithë.