ARSIMI NUK ËSHTË KAZINO PËR NUMRA – MJAFT ME POlÌTIKAT QË SHKATËRROJNË TË ARDHMEN !





Si pedagog, e kam të pamundur të hesht ndaj deklaratave të ministres së Arsimit, Vesna Janevska. Të thuash se programet universitare me 3–5 studentë duhet të mbyllen është më pakse si qasje për të përmirësuar arsimin dhe më shumë si një kalkulim i ftohtë financiar, që i sheh studentët dhe profesorët vetëm si “shpenzime të panevojshme”.
Kjo nuk është reformë – është shkatërrim i planifikuar i dijes, i diversitetit akademik dhe i shpresës për të rinjtë. Programet që janë të vogla, por strategjike, formojnë mendim kritik, promovojnë kulturë dhe bashkëpunim ndërkombëtar. T’i heqësh ato për hir të “numrave” është e pamoralshme, arrogante dhe një turp për politikën aktuale.
Profesorët nuk janë makina që duhet të “punojnë për 5 studentë”. Ata janë themeli i arsimit të lartë, mentorë dhe krijues të dijeve që mbajnë gjallë shoqërinë. T’i trajtosh si kost për buxhetin është një fyerje e hapur ndaj dijes dhe të rinjve që duan të mësojnë.
Arsimi nuk duhet të matet me logjikën e politikanëve të shkujdesur, por me vizion, cilësi dhe perspektivë. Çdo politikë që shkatërron programe për të kursyer pak para është politikë që shkatërron të ardhmen e vendit. E ardhmja nuk matet me 3 studentë – por me mendjet që rriten dhe nuk largohen për shkak të qeverive që nuk e kuptojnë arsimin.
Populli dhe të rinjtë nuk do të heshtin – arsimi është e drejtë, jo lojë politike për kursime të lehta.
Pedagog : Naim Kurtishi .- Tetovë

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo