Shkruan: Afrim Tanallari
Në një rajon ku dinamika politike shpesh ndërthuret me tensione identitare dhe sfida institucionale, diplomacia mbetet instrumenti më i rëndësishëm për stabilitet dhe progres. Zhvillimet e fundit në Maqedonia e Veriut tregojnë qartë se balancat e brendshme politike dhe orientimi strategjik ndërkombëtar janë më të ndërlikuara se kurrë, duke kërkuar një angazhim të matur nga aktorët rajonalë veçanërisht nga Shqipëria.
Diplomacia moderne nuk është vetëm komunikim formal mes qeverive; ajo është menaxhim i krizave, ndërtim besimi dhe harmonizim interesash. Në kontekstin e Maqedonisë së Veriut, diplomacia luan rol kyç në ruajtjen e ekuilibrave të brendshëm etnikë, funksionimin e institucioneve dhe avancimin e procesit eurointegrues.
Në një periudhë kur debatet politike të brendshme janë intensifikuar dhe polarizimi shoqëror është rritur, ndërhyrja diplomatike si nga partnerët rajonalë, ashtu edhe nga faktorët ndërkombëtarë është bërë faktor stabilizues.
Shqipëria si aktor rajonal me peshë dhe ambasadori i saj Denion Meidani (djal I ish- presidentit),
në Maqedoninë e Veriut nuk duhet parë vetëm në prizmin etnik, por mbi të gjitha si rol stabilizues dhe strategjik. Si vend anëtar i NATO-s dhe negociues për anëtarësim në BE, Shqipëria ka interes të drejtpërdrejtë për një fqinj të qëndrueshëm dhe funksional.
Diplomacia shqiptare mund të shërbejë si urë komunikimi ndërmjet faktorëve politikë në Shkup dhe partnerëve ndërkombëtarë. përmes një qasjeje të matur dhe jo ndërhyrëse, Tirana zyrtare ka mundësinë të kontribuojë në uljen e tensioneve, forcimin e dialogut ndëretnik dhe mbështetjen e reformave demokratike.
Roli i Shqipërisë, pra, nuk është thjesht mbështetës; ai është bashkëformues i stabilitetit rajonal. Dhe në një kohë sfidash të reja politike e gjeopolitike, diplomacia mbetet instrumenti më i fuqishëm për të garantuar që zhvillimet në Maqedoninë e Veriut të shkojnë drejt konsolidimit demokratik dhe integrimit.